Shembull të “dembelizmit mendor” e ka cilësuar filozofi Blerim Latifi shkrimin tim me titull “A ka jetë pa PDK?”. Këshilltari i Kadri Veselit përmend “një mendimtar të njohur“ i cili, teksa paska shpjeguar mekanizmat e funksionimit të mendjes, e paska bërë dallimin ndërmjet mendjes dembele dhe mendjes punëtore. Latifi vlerëson se unë bëj pjesë në mendjet dembele, pasi që “për të gjitha problemet, prapësitë dhe ato që jemi mësuar t’i quajmë fenomene negative të këtyre 18 viteve të fundit”, e gjej një shkak të vetëm – Partinë Demokratike të Kosovës. E mendja punëtore, sipas tij, për një fenomen apo problem kërkon arsye dhe shkaqe të shumta.
Ky është një lexim tendencioz i shkrimit tim nga profesori i filozofisë, ngase në asnjë rast nuk e kam fajësuar PDK’në për gjithçka që ka ndodhur pas luftës. Unë kam folur për dhjetë vjet të qeverisjes së kësaj partie dhe saktësisht kam shkruar: “Me çdo kusht, në çdo mënyrë dhe pa zgjedhur formë as mjete PDK po synon të vazhdojë së qëndruari në pushtet, pavarësisht një dekade qeverisjeje të karakterizuar me plot skandale. Një qeverisje që krijoi rrjet nepotist e klientelist, që kapi shtetin në institucionet vitale”. Nëse Latifi e ka lexuar dhe kuptuar ndryshe, është punë e tij.
Por, në vend se të përpiqet të bëjë dallimin ndërmjet mendjes dembele dhe asaj punëtore, do të ishte më e dobishme që Latifi të bëjë dallimin ndërmjet së keqes dhe së mirës.
Është leksion shkolle që Platoni e definonte të keqen si mungesë të së mirës, që vjen nga mungesa e njohjes dhe kuptimit. Natyrisht, secili që merret me filozofi dhe jo vetëm do të duhej të udhëhiqej nga arsyeja e shëndoshë për t’i njohur dhe dalluar idetë (të vërtetën, të bukurën, të mirën) me një qartësi të mjaftueshme. Latifi e di se vetëm atëherë veprimi e ndjek arsyen. Siç e di se është detyrë e filozofisë që të sqarojë njeriun për natyrën e vërtetë, sepse njeriu nuk mund të mos e zbatojë atë që e njeh si “të mirën”.
Të akuzosh të tjerët pse e kritikojnë të keqen, pa e marrë mundin që të sqarosh çfarë është e mira në kontekstin e qeverisjes njëdekadëshe të PDK’së, nuk është gjë tjetër veç përpjekje e dështuar për të përligjur të ligën. Të ligën që e përjetojmë të gjithë.
* * *
Në shkrimin e tij, Latifi thotë se është e dëmshme për kauzën e drejtësisë që t’i atribuohet PDK’së autorësia për gjithë paligjshmërinë e pasluftës, ngase krijohet situatë shfajësimi për të gjithë të tjerët. “Drejtësia selektive, në thelb, është një formë e padrejtësisë. Drejtësia selektive e shkatërron idenë bazë të demokracisë, si në rrafshin institucional, ashtu edhe në rrafshin e opinionit publik. Për këtë të dytën gjithsesi fajin e bartë një publicistikë e bazuar mbi metodën e mendjes dembele”, shkruan Latifi.
Por, a ka shembull më të mirë për të ilustruar drejtësinë selektive sesa përgjimet e aferës “Pronto”, kur zyrtarë të lartë të PDK’së na dëshmojnë se libreza partiake, e jo dija e zotësia është kriteri kryesor për të gjetur një vend pune, për të zënë një post publik, për të gëzuar privilegje?
Për më shumë, ky rast dëshmon se kemi të bëjmë me të keqe strukturore, një e keqe që shprehet nëpërmjet strukturave negative politike, ekonomike, ligjore e shoqërore. Një e keqe e shpërndarë si virus gjithandej – që nga institucionet qeveritare deri tek ato lokale, që nga kompanitë publike deri te shkollat e universitetet. Këto struktura të së keqes i shquan ajo që quhet përpjesëtim i përgjegjësisë dhe duke pasur parasysh se në to janë të përfshirë shumë njerëz, nuk mund të drejtohet gishti drejt një fajtori të vetëm. Kështu, e keqja nuk ka adresë të saktë. Fajtorë janë të gjithë, fajtor nuk është askush.
E autorët e së keqes përpiqen të shfaqen si njerëz normalë, njerëz familjarë, të përkushtuar për shtetndërtim, të brengosur për të ardhmen tonë.
Filozofja Hannah Arendt, duke vëzhguar procesin gjyqësor kundër Adolf Eichmannit, njërit ndër përgjegjësit kryesorë për Holokaustin, flet për “banalitetin e të keqes”. Nëpërmjet kësaj shprehjeje përshkruhet dukuria kur njerëzit që kanë kryer aktet më të tmerrshme, kishin edhe një jetë të thjeshtë, banale, familjare.
Për atë burrë të zakonshëm familjar as që do t’i kishte ardhur dikujt në mendje se mund të ketë kryer vrasje të tmershme sistematike. Siç mund të mos i vijë kujt në mendje që tipa me plot gojën demokraci e shtetndërtim mund të jenë kreatorë e praktikues të së keqes.
* * *
Unë ende vazhdoj të pyes: pse qenka në interesin e Kosovës që PDK të vazhdojë së qëndruari në pushtet? Çka paska PDK’ja që nuk e kanë partitë tjera? A mund të funksionojë Kosova pa PDK’në, apo një gjë e tillë është e pamundur dhe nuk mund të paramendohet? Si do të ishte Kosova pa PDK’në në pushtet? A do të mundeshin njerëzit të jetonin, të ushqeheshin? A do të kishte jetë pa PDK’në?
Ndonjëri nga këshilltarët e shefave të partisë do të ishte mirë që të jepte ndonjë përgjigje. Qoftë edhe banale. Blerim Latifin nuk do të doja ta shihja as këshilltar të së keqes, lëre më gardian të saj.