[ad_1]
Nëse e shikoni historinë, komandantët ambicioz gjithmonë kanë sunduar larg pallateve të perandorëve, sulltanëve dhe mbretërve. Kjo për shkak se sundimi i tokave të largëta u ka dhënë hapësirë komandantëve ambiciozë që t’i plotësojnë egot e tyre për pushtet dhe të mos provojnë fatin e tyre afër qendrës. Sa më larg pallatit janë mbajtur komandantët ambicioz, aq më i vogël rreziku për pushtetin e perandorit.
Vendi ynë sot vetëm sa themeloi një qeveri kaubojsh, pa gati asnjë indian. Deri sot as Holliwood nuk ka prodhuar një film të tillë, derisa qeveria e Kosovës veç po fillon xhirimet. Duke marrë parasysh përbërjen, nuk të jep të mendosh ndryshe përveç se problemi më i madh i perandorit nuk do të jene menaxhimi i halleve të qytetarëve, sa do të jetë menaxhimi i egove i gjithë atij klani kaubojsh që kanë zili dhe uri për pushtetin e perandorit.
Zakonisht ka një komandant që udhëheq betejën, derisa ushtarët përcjellin urdhrat, mirëpo në këtë rast Kosova ka mbi 5 komandantë, ku secili është më kauboj se tjetri, të cilët kanë agjendën e tyre dhe në letër kanë marrëveshje që të mos marrin urdhra nga kryekomandanti. Tash pyetja që vijon është, si mund të jesh kryekomandant kur ke bërë marrëveshje që nuk ke drejt shkarkimi të asnjë ushtari. Këtu jo që nuk do të ketë mundësi menaxhimi, por do të kemi një qeveri që do t’i përngjajë një vilajeti me shumë pashallarë brenda saj. Këtu do të kemi qeveri principatash, ku nuk do luftohet për një betejë të përbashkët, sepse secila prej tyre do të zgjedhë betejat që avancojnë interesat e principatave, e jo interesat e shtetit.
Ja përmbledhja e problemeve që e bën të pamundur qeverisjen e një qeverie kaubojsh, pa asnjë indian.
Fillimisht e kemi z. Pacolli, i cili është biznesmen e jo politikan, dhe prandaj votën e qytetarit e sheh sikur një mall që pastaj e përdor për ta shkëmbyer me të tjerët për pushtet. Para një viti deklaronte: “e them si premtim dhe zotim se para qytetarëve se nuk do të bëj asnjëherë koalicion me PDK-në.” Por, siç e kuptuat, ai për zot ka pazarin, por assesi interesat e qytetarit. Si pasojë e këtyre pazareve ai sot ka më shumë poste se anëtarë në AKR, dhe sigurisht se derisa nuk ka dëgjuar qytetarin nga i cili ka marrë mandatin, kush është ai që beson se do të dëgjojë perandorin. Fundja ai ka edhe marrëveshje në letër me z. Haradinaj që ky i fundit të mos ketë të drejtë të shkarkojë ministrat e tij, që na tregon se z. Pacolli nuk është indian aty, por vetëm një kauboj me një principatë të veten që nuk mund te menaxhohet nga askush.
Pastaj kemi z. Limaj. Siç e dimë, z. Limaj është një kauboj i njohur që bashkëpunon me z. Haradinaj, por që as që do që të dëgjojë për kaubojt e tjerë. Ai ende e ka të freskët humbjen e privilegjeve nga kauboji i PDK-së, dhe sigurisht se fuqia e tij brenda pushtetit do të jetë rasti ideal i hakmarrjes ku “dështimi i njërit” do të shihet si suksesi i tjetrit. Të dy kanë ego më të mëdha se vetja e tyre, por edhe njihen si rival të dëshmuar që e bën të pamundur menaxhimin e tyre nga z. Haradinaj.
Në anën tjetër z. Veseli ka probleme shumë më të mëdha se z. Limaj. Ai po mundohet të bëjë të pamundurën, duke dashur të mbajë pushtet dhe njëkohësisht të reformojë partinë. Mirëpo gati se të gjitha kalkulimet e tija deri tash kanë qenë të gabuara. Gabimi i parë është se partitë reformohen kur janë në opozitë, derisa ai po kërkon të bëjë këtë në pozitë. Gabimi i dytë është se ai ka vetëm një gjysmë pushtet, që vjen drejtpërdrejt nga kalkulimi tjetër i gabuar kur pranoi të futet në koalicion dhe dorëzoi gjysmën e listës. Tash ka ngelur në një pozitë ku as nuk do të mund të reformohet, por as të qeverisë.
Ai sigurisht se synon të korrë suksese për të dëshmuar ndryshimin brenda partisë, mirëpo kjo prapë është problem kur në qeveri emëron njerëz të konsumuar. Mirëpo, edhe sikur ministrat e tij të jenë të suksesshëm, ai prapë do ta ketë të vështirë të marrë ndonjë sukses për shkak se të gjitha sukseset do t’i kërkojë z. Haradinaj në fund, kurse për dështimet do t’i faturohen z. Veseli. Shkurt, z. Veseli mbetet si humbësi më i madh, sepse prej të gjithë komandantëve ka pasur më së shumti votues, kurse ka ngelur me më së paku pushtet. Prandaj, sigurisht se ai do të ndërtojë një rivalitet të pashmangshëm me z. Haradinaj ku medoemos do të shpenzojë energji të anashkalojë atë duke i paraqitur të arriturat e atyre pak dikastereve si të arritura të PDK-se, e jo të AAK-së.
Më tej kemi Listën Serbe, apo ndryshe e njohur si dora e zgjatur e Serbisë. Unë nuk besoj se kjo kërkon shumë shtjellim sepse të gjithë e dimë se Lista janë indianë në shërbim të kaubojve në Beograd. Përveç që nuk duan të dëgjojnë për asnjë nga kaubojt tanë, ata do të jenë shantazhuesit më të mëdhenj të kësaj qeverie, sepse e dinë mirë se e kanë luksin për të kërcënuar rrëzimin e qeverisë sa herë që nuk iu plotësohen dëshirat.
Pyetja që kam dëgjuar më së shumti është, sa do të mund të mbijetojë kjo qeveria Haradinaj? Në pyetje qëndron vetë problemi, sepse nuk ka qeveri Haradinaj, por një vilajet principatash, komandantët e të cilave principata nuk pajtojnë të ketë një Skënderbe. Kjo për shkak se komandantët kanë krijuar pakt me kryekomandantin Haradinaj që të mos marrin urdhra nga ai, që na le të kuptojmë se ai nuk qeverisë askënd, përveç një principate të vogël të ndarë në pazarin e madh.
Kjo na bie në përfundimin e vetëm, që sot z. Haradinaj është një komandant pa asnjë ushtarë. Më shkurt, Z. Haradinaj sot gëzon një qeveri kaubojsh, pa asnjë indian. Historikisht perandorët kanë mbajtur komandantët larg pallateve duke plotësuar egot e tyre për pushtet me sundimin e tokave të largëta, mirëpo në oborrin e pallatit të z. Haradinaj sillet një grup komandantësh që kërkojnë sukses për vete dhe njëkohësisht kanë inat dhe uri për pushtetin e tij. Më shkurt, qeveria e tij rrezikohet si nga jashtë, po ashtu edhe nga brenda qeverisë, duke filluar nga kopeja e komandantëve që e rrethojnë, që do të përcillet afër nga Lista Serbe, që mbaron me opozitën e madhe që do ta ketë ballë dhe që rrjedhimisht e bën gati se të pamundur mbijetesën e gjatë të qeverisjes së tij.
[ad_2]