Një rresht për gratë

E publikuar: 13/09/2017 10:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

[ad_1]

Fjalimi i kryeministrit Haradinaj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, grave ia dedikoi një rresht. Në këtë rresht, ai demonstroi njëfarë dhimbje elementare për pozitën e gruas kosovare. Nuk hezitoi ta potencoi faktin se pozita e saj vazhdon të mbetet më e vështirë në zonat rurale.

Pavarësisht ndjeshmërisë që shfaqi, Haradinaj nuk arritur ta sfidoi veten dhe Qeverinë që drejton ai, duke lënë në dispozicion më shumë vende për gratë.

I la vetëm dy gra, simbolikisht sa për ta eliminuar nga formulimi i çdoditshëm Qeveri një gjinore.

Megjithatë, ky veprim është tregues për vështirësinë e përfshirjes së grave në jetën publike, sa nga barrierat që i vendosë shoqëria në përgjithësi, po aq nga fryma maskuliniste e misogjiniste e politikanëve në Kosovë.

Kjo strukturë qeverisje me këtë përfshirje simbolike të grave duhet ta ketë në agjendën e saj një ndër prioritetet edhe ndryshimin rrënjësor të qasjes ndaj grave. Jo sa për t`i plotësuar vendet kudo në administratën shtetërore, por të përpiqet ta nxjerrë gruan nga roli i të qenit asistente administrative.

Pra, gratë të jenë prezente në të gjitha nivelet me përfaqësim në politikën e brendshme e të jashtme, duke heqë dorë nga retorika qeverisëse e cila mburret me konfirmimin e faktit se Kosova ka një kornizë ligjore të avancuar në sferën e të drejtave të grave.  

Shtetit duhet t`i jepet një pjesë e identitetit grua, në mënyrë që ai të bëhet gjithëpërfshirës.

Prandaj, ju lutem, tejkaloni pjesën rutinore të fjalimeve për bazën e mirë ligjore që ka ky vend. Nuk do të ndryshohet jeta e vajzave dhe grave kosovare me këtë diskurs. Kjo paketë ligjore duhet zbatuar në atë mënyrë që secila grua ta ndjejë veten si bashkëpjesëmarrëse në shtet, i cili i ofron asaj mundësi për jetë dhe mbrojtje të dinjitetshme.

Gratë dhe vajzat në Kosovë përballen ne vazhdimësi me dhunën në familje. Ato të shumtën e rasteve janë viktima, ama shteti asnjëherë nuk arriti deri tashti të tregohet gardian kundrejt rrezikut të çdohershëm të tyre.

Kosova ka nevojë për normalitet gjinor. Përqindja aktuale e përfaqësimit të grave në politikë është meritë ekskluzivisht e angazhimit të tyre, porse jo e shtytjes që i ka dhënë shoqëria.

Në vitin 2013, përfaqësuesi i BE-së në Tiranë, EttoreSequi ia kishte përkujtuar autoriteteve të Tiranës se barazia gjinore në politikë është një nga 12 rekomandimet e BE-së, për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Katër vjet më pas, kryeministri Rama realizon kërkesën duke e ndarë përgjysmë ndërmjet grave e burrave kabinetin e tij qeveritar.

Nga ana tjetër, vajzat dhe djemtë e Kosovës që nga tekstet shkollore i nënshtrohet një edukimi tradicional ku rolet e tyre janë të ndara në bazë të seksit. Po këta fëmijë që nga klasa e parë, veçanërisht vajzat nuk mund të ndjejnë barazinë, sepse janë tekstet shkollore  që legjitimojnë dhe  e favorizojnë një narracion të tillë, sipas të cilit të qenit djalë në këtë vend është përparësi biologjike. Pikërisht nga këto tekste, i jepet përparësia kësaj gjinie, në mënyrë që ata ta kenë pushtetin qoftë edhe mbi trupin e  vajzave dhe grave. Ata kanë të drejtë të ngacmojnë dhe të bëjnë çfarë të duan, sepse shteti ka hequr dorë nga gratë e vajzat. Ngaqë shteti s`merret me to, shumë vajza detyrohen ta braktisin shkollimin e mesëm dhe atë universitar për mungesë të mbështetjes themelore. Për një biletë udhëtimi. Shumë sosh i nënshtrohen dhunës sistematike dhe ngacmimeve seksuale, por asnjë fjalë nga askush. Të tjera hyjnë në martesa të hershme. Pakt për fshehjen e krimeve. Menaxhmenti i shkollave dhe universiteteve nuk bën zë, ngase në esencë ky mentalitet i ka koduar këto patologji si normale dhe të natyrshme.

Shyhrete Berishës, iu deshën vite të tëra për ta fituar të drejtën e pronësisë, teksa shteti bëri spektatorin. Në rastin e Zejnepe Berishës, shteti mori rolin e zbutësit të peshës së krimit. Vrasësin fillimisht e dënoi me 12 vite burgim, pastaj ia rritën dënimin për pesë vjet shtesë dhe atë pas reagimit të familjarëve dhe grave.

Nuk është çudi që në sytë e opinionit, burri të perceptohet viktimë si i dënuar me 17 vite burg, teksa gruaja viktimë, shkaku i fajit të paragjykuar.

Në të njëjtën linjë është edhe rasti i Diana Kastratit. Vrasësi i saj ende “mister”, teksa autoritetet e rendit dhe të drejtësisë ndoshta presin vetëdorëzim e pastaj negocim në mënyrë që atë ta shpallin të lëkundur mendërisht e t`i shqiptojnë pastaj një dënim si masë të ngjashme qëndrimi një strehimore rehabilituese.

Në këtë kontekst, gratë kanë frikë ta bëjnë ndryshimin, sepse frikën ia kultivon familja që në fëmijëri. Duke u rritur në këtë frymë, më pas të tjerë ia sundojmë mendjen dhe trupin e tyre.

Ku kryeministri kanadez Justin Trudeau, kishte marrë detyrën më 2015, në fjalimin e tij inaugurues kishte thënë se është me rëndësi që kabineti qeveritar i ngjanë Kanadasë.

Prandaj, z.Haradinaj, pasi që nuk e bëtë me Qeverinë, së paku përpiquni ta bëni pjesëmarrjen e grave në jetën publike t`i ngjajë Kosovës!

[ad_2]