Përmbledhje e deklaratave: Sa larg ka shkuar Vuçiq për Kosovën

E publikuar: 12/09/2017 22:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur gjatë sonte për Kosovën, në një adresim – konferencë për media në Beograd, të transmetuar drejtpërdrejt në Radiotelevizionin e Serbisë.
Në stilin e tij, duke luajtur rolin e viktimës, Vuçiq ka sulmuar të gjithë kundërshtarët, derisa ka shpalosur atë që po e bën Serbia në raport me Kosovën.

Edhe pse mendohet se politika aktuale e Vuçiqit po shkon në drejtim të mbylljes së temës së Kosovës, pasi Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, paraqitja e sotme e tij tregon se shefi i shtetit serb ka bërë hapa në këtë drejtim, por është duke ecur me kujdes.

Vuçiq, duke paralajmëruar se dialogu me Kosovën do të vazhdojë gjatë muajit tetor, ka thënë se ky proces do të jetë i ashpër dhe serioz.

“Do të ndodhë edhe në Parlament, edhe në forume të ndryshme, jam i gatshëm personalisht të shkoj dhe të flas me Sinodin dhe me Kuvendin e Kishës, po flas për vende që po supozoj se janë më të vështirat për bisedime, edhe në Akademi. Nuk dua t’i iki mejdanit”, ka thënë ai.

Vuçiq ka iniciuar një dialog të brendshëm për Kosovën, i cili do të duhej të rezultonte me një përgjigje që do të nxjerrë ai dhe shoqëria serbe rreth kësaj çështjeje. Ky dialog është ende duke vazhduar.

“Unë nuk dua të iki, nuk dua të fshihem nga askush, por duhet ta themi se çfarë do të bëjmë me planet tona në Kosovë dhe Metohi, dhe për këtë na duhet një marrëveshje sa më e gjerë, dhe të përkushtohemi për këtë, dhe jo të jetojmë në një periudhë para 300 vjetësh”, ka theksuar ai.

Sido që të jetë, Vuçiq publikisht nuk dëshiron të bëjë hapa të mëdhenj rreth Kosovës. Kështu, ai nuk ka treguar nëse Serbia do të ndërmarrë atë që shumëkush është duke e pritur – ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë.

Kreu i shtetit serb ka folur edhe rreth takimeve në Bruksel.

“A mendon dikush prej jush se po më vjen mirë që po ulem me Hashimin, Mogherinin, Ashtonin, asnjëherë, asnjë moment i bukur nuk më kujtohet”, ka thënë ai.

Vuçiq ka folur edhe për hyrjen e Listës Srpska në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se ata nuk kanë pasur alternativë tjetër.

Sipas tij, alternativa e Listës Srpska që t’i bashkohet Albin Kurtit është më e keqe, pasi ai angazhohet për bashkim me Shqipërinë.

Vuçiq ka lexuar reagimet e Kurtit dhe Isa Mustafës, të cilët kanë akuzuar Ramush Haradinajn se e ka lënë në dorë të Vuçiqit, Qeverinë e Kosovës. Vuçiq ka thënë se këto deklarata dëshmojnë për ndikim, por, sipas tij, qeveria e Kosovës nuk është në dorën e tij. /Express/