Seanca e sotme plenare maratonë ka filluar me fjalën e kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili kërkoi shkarkimin e Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafajt. Basha po ashtu kërkoi shkarkimin e shefave të policisë, si dhe ish-minitrin Tahiri. Kreu I opozitës akuzoi edhe dy ministrat e tjerë, Gjinuri e Ahmetaj, të cilët i cilësoi si garuzhde të tepsisë.
“Duhet ta shkarkosh Gramoz Ruçin. Po kështu edhe Fatmir Xhafën për lidhjet e ti me krimin. Duhet të shkarkosh shefat e policisë që kanë favorizuar krimin, me në krye Tahirin. Duhet të largosh kryetarët e bashkive të lidhur me krimin. I bën dot ti këto? Ndryshe çfarë ka ndryshuar nga zgjedhjet e 25 qershorit, asgjë. Avazi i vjetër, vazhdon me tepsi të re. Me dy garuzhdet e tua, Ahmetajn dhe Gjiknurin, dhe ministrat e tjerë që janë si peceta për të fshirë faqet”, – tha Basha.
Basha foli edhe për marrëveshjen e 18 majit. Ai u shpreh se kjo marrëveshje vdiq me zgjedhjet e 25 qershorit dhe me paratë e drogës.
“Thelbi i marrëveshjes së 18 majit ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje. Aleanca e pandërprerë e Ramës me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen. Zgjedhjet rikonfirmuan problemin numër 1 të Shqipërisë: vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të Shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës”, – tha Basha.



















