Përcaktimi i kufijve administrativë ndërmjet Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut vazhdon të jetë peng i mosmarrëveshjeve rreth vijës administrative.
Memorandumi që do të përcaktonte kufirin është në pritje të nënshkrimit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, shkruan sot Koha Ditore.
Por, sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ai po heziton ta bëjë një gjë të tillë.
Mospërcaktimi i këtyre kufijve ka bërë që këto dy komuna të mbesin pa plane zhvillimore, pa harta të zonimit dhe plane rregulluese. Në mungesë të tyre, Mitrovica e Veriut e shfajëson veten edhe për mosrespektimin e Ligjit për leje të ndërtimit.














