Pas marrëveshjes së djeshme PAN-AKR ka filluar edhe lakimi i emrave të ndryshëm të cilët do të mund të jenë ministra në qeverinë Haradinaj.
Ministria e Financave sipas të gjitha gjasave këtë mandat do t’i takoj Partisë Demokratike të Kosovës.
Në lidhje me këtë gjatë ditës është raportuar se Besim Beqaj është emri më i mundshëm i PDK-së për këtë pozitë.
Vet Beqaj në një prononcim për lajmi.net nuk e ka mohuar një gjë të tillë, duke deklaruar se është i gatshëm për çdo deturë që i caktohet nga partia.
“Nuk mund t’iu konfirmoj asgjë, kur të bëhen emërimet do ta kuptoni. Normalisht jam i gatshëm për çdo detyrë që ma cakton partia të merrem”, ka thënë shkurt Besim Beqaj.
Beqaj më herët e ka drejtuar dikasterin e financave, kurse ka qenë edhe ministër i zhvillimit ekonomik dhe integrimeve evropiane.
Ministritë e tjera që pritet të drejtohen nga PDK-ja janë: Ministria e Drejtësisë, e Diasporës, e Integrimeve Evropiane, Ministria e Kulturës dhe Ministria për dialog.
















