Policia e Kosovës bën apel për rritje të vigjilencës të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, në mënyrë që të rritet siguria me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
“Duke pas parasysh fillimin e vitit të ri shkollor ku një numër i madh i nxënësve fillon shkollën për herë të parë, ndërsa të tjerët vazhdojnë procesin mësimor Policia e Kosovës me kohë në Urdhrin Operativ “Sezoni Veror 2017” ka përfshirë edhe masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së përgjithshme”, thuhet në komunikatë.
Në vazhdimësi thuhet se Policia ka pasur bashkëpunim të mirë me menaxhmentin e shkollave për një siguri më të madhe në shkolla dhe përreth tyre për të garantuar një proces sa më të favorshëm mësimor për nxënësit dhe mësimdhënësit si dhe shmangien e incidenteve të ndryshme.
“Duke iu referuar numrit të nxënësve dhe qarkullimit të tyre nga shtëpia në shkollë apo nga shkolla në shtëpi, Policia Apelon tek të gjithë që të rritet vigjilenca të shtohet kujdesi gjatë pjesëmarrjes në trafik; tek prindërit, nxënësit dhe në veçanti tek drejtuesit e automjeteve kërkohet që të respektohen të gjitha rregullat që dalin nga ligji mbi trafikun rrugor për të garantuar një siguri më të madhe dhe për shmangie të aksidenteve nëpër rrugë.”.
“Në të kundërtën Policia e Kosovës për të gjithë drejtuesit e automjeteve që bien ndesh me rregullat dhe procedurat ligjore po aplikon dhe do të aplikoj në vazhdimësi masa ligjore dhe do të ketë zero tolerancë”, thuhet më tej.
















