Publicisti Shkelzen Maliqi, ka thënë se ndërrimi i formatit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mund ta dinamizojë procesin, që ka vendnumëruar për një kohë.
Ai ka deklaruar se Kosova dhe Serbia arsyet për këtë formatim i kanë krejt të ndryshme, njofton Klan Kosova.
“Dialogu është stërzgjatur. Nuk ka qenë e paraparë të zgjasë kaq shumë. Pas marrëveshjeve të Brukselit jemi duke vendnumëruar”.
“Ideja e riformatimit ka qenë e lidhur me formën e përfaqësimit të Serbisë, që ka pasur shumicën e kohës njëfarë dualizmi. Përfaqësuesit serb gjithmonë janë ankuar në format dhe ka qenë përpjekja e Aleksandar Vuciq që të sigurojë sa më shumë pushtet, por që njëkohësisht është i vetmi njeri atje që mund të garantojë cuarjen e procesit përpara – pra ta heqë Kosovën nga kushtetuta e Serbisë”.
“Te Kosova ideja e riformatimit është tjetër dhe vie më shumë nga opozita, që deri vonë e ka kundërshtuar dialogun dhe marrëveshjet e arritura”.
“Ideja e shpalosur nga presidenti Hashim Thaci është ndërtuar mbi bazën e një përfaqësimi më të gjerë, që duke e përshtatur, do të fusë edhe opozitarë, edhe njerëz nga shoqëria civile”.
“Mund të kemi edhe një rikyçje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në formë më aktive në këtë dialog. Nga ana tjetër Brukseli është i interesuar që këtë pjesë të Ballkanit ta integrojë përgjatë një procesi”.
















