Kjo është historia e 70 dosjeve të VV’së kundër Mustafës, çfarë thonë sot në Prokurori

E publikuar: 29/08/2017 17:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale e Kosovës, as pas tri vitesh hetime, nuk ka arritur të gjejë element të ndonjë vepre penale që ndërlidhet me keqpërdorim të detyrës zyrtare apo korrupsion ndaj ish-kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa. Nga 70 dosjet që VV’ja i deponoi në Prokurori, autoritetet kosovare asnjëherë nuk nxorën kallëzim penal apo hetime zyrtare ndaj kreut të LDK’së që për dy mandatet sa drejtoi kryeqytetin, para se të marrë drejtimin e kryeministrit tashmë në shkuarje. Dhe teksa LDK dhe VV po zhvillojnë bisedime për një koalicion të mundshëm, “dosjet” po i rëndojnë raportet ndërmjet tyre.

70 dosje, të pretenduara me dëshmi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, Lëvizja Vetëvendosje thotë se i ka deponuar në Prokurori Speciale, sa herë që ashpërsohet gjuha politike mes VV’së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj Isa Mustafa.

VV tregon se dosjet i ka dërguar në Prokurori të shtetit, sapo Shpend Ahmeti i kësaj lëvizjeje mori drejtimin e kryeqytetit, pas humbjes të mandatit që pësoi Isa Mustafa në balotazhin e zgjedhjeve lokale të dhjetorit të 2013’ës.

Por dëshmitë me të cilat lëvizja e Albin Kurtit krenohet sa herë që duan të sulmojnë kryeministrin e shkarkuar të Kosovës, Isa Mustafen, e që çdo herë janë ‘mollë sherri’ për marrëdhëniet mes VV’së dhe LDK’së, asnjëherë nuk kanë mjaftuar që autoritetet hetuese të Kosovës të ngrenë të paktën një kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Prishtinës. E as për hetime zyrtare nuk u bë fjalë.

Këtë e ka konfirmuar të martën për Gazetën Express Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Ju njoftojmë se në kuadër të 70 rasteve të trajtuara nuk ka pasur kallëzim penal e as hetim ndaj ish-Kryetarit të Prishtinës Isa Mustafa”, pohon Lutfiu.

Ai tregon se Prokuroria Speciale e Kosovës, gjatë vitit 2014 ka hetuar rastet në fjalë, që kanë të bëjnë me ndërtimet pa leje në Komunën e Prishtinës, e që për rezultat ka pasur vetëm një aktakuzë për keqpërdorim të autoritetit zyrtar e ngritur në vitin 2015 ndaj 10 ish-zyrtarëve të administratës së Komunës së Prishtinës, gjatë kohës sa Mustafa ishte në krye të saj.

“Në vitin 2015, është ngritur aktakuzë për 36 objekte banesore kolektive dhe afariste të ndërtuara pa leje ndërtimi apo në kundërshtim me lejen e ndërtimit, kundër 10 ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, për veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) lidhur me veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK”, shpjegon zëdhënësi i Prokurorisë.

“Procedura gjyqësore në këtë çështje penale është në zhvillim e sipër pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë”, shton Ekrem Lutfiu.

I njëjti ka treguar për Gazetën Express se lëndë kundër Isa Mustafës dhe qeverisjes së tij dymandatore në Prishtinë, përveç nga Komuna e Prishtinës e drejtuar nga Shpend Ahmeti i VV’së, Prokuroria Speciale një numër tjetër të tyre e ka pranuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit dhe Policia e Kosovës.

70 dosjet kundër Isa Mustafës përveç Lëvizjes Vetëvendosje, në një rast ishin përmendur edhe nga ish-ambasadorja e SHBA’së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, vjeshtën e 2014’ës, në kohen kur LDK’ja ishte pjesë e bllokut VLAN që synonte krijimin e një qeverie pa PDK’në që ishte dalë fituese e zgjedhjeve të atij viti.

“LVV ka ngritur diku rreth 70 akuza për korrupsion kundër LDK’së në pushtetin lokal në Prishtinë… Do të thotë se Kosova ka njëfarë tradite të politikanëve të korruptuar”, kishte thënë Jacobson, më 6 nëntor 2014, në një diskutimin publik që mbahet mend për thirrjen e saj për atëkohë bllokuesit e formimit të institucioneve të reja të Kosovës: “mos e dh*ni punën”.

Dosjet kundër Isa Mustafës së LDK’së janë kthyer serish në debat publik gjatë javëve të fundit, kur vendi po përgatitet për zgjedhjet e rregullta lokale, në të cilat kryetari aktual i Prishtinës Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje rikandidon për mandatin e dytë në Prishtinë, kundër Arban Abrashit të LDK’së që njihet si njeri i afërt i kryeministrit të shkarkuar Mustafa. Në garë janë edhe Lirak Çelaj nga PDK’ja, Arber Vllahiu i AAK’së dhe Selim Pacolli i AKR’së.

E, në një rast, zyrtarët e LDK’së kanë kërkuar që VV’ja t’i kërkojë falje Isa Mustafës për këto akuza në mënyrë që të hapet rrugë për bashkëpunim mes këtyre subjekteve politike, për të pamundësuar krijimin e institucioneve nga PAN’i – koalicioni PDK-AAK-NSIMA që fitoi zgjedhjet e 11 qershorit 2017.

Kërkesë të ngjashme ka shfaqur edhe vetë kryetari i LDK’së Isa Mustafa. /M.Gj./GazetaExpress/.