Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se sulmi ndaj bashkëshortes së ministrit në detyrë, Blerand Stavilecit, është akt qyqar, kriminal dhe i papranueshëm, njofton Klan Kosova.
“Aktet e tilla kriminale janë të dënueshme, prandaj organet e rendit dhe drejtësisë duhet urgjentisht të hetojnë këtë rast dhe të nxjerrin ata që qëndrojnë prapa tij”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.
Por, ai ka shprehur keqardhje për atë se si zyrtarët e PDK-së ia kanë adresuar këtë sulm aktivistëve të Vetëvendosjes pa pasur ende asnjë fakt.
“Në anën tjetër, janë për keqardhje deklaratat e zyrtarëve të lartë të PDK’së që pa asnjë fakt akuzojnë VETËVENDOSJE!-n në lidhje me këtë rast, duke ndërhyrë në punën e organeve kompetente, që do të duhej sa më parë ta zbardhnin këtë akt kriminal”.
“Ngutia e PDK’së për të akuzuar aktivistët e VV’së nuk përbën vetëm papjekuri të skajshme politike, por edhe lë hapësirë për dyshime rreth inskenimeve të mundshme qëllimkëqija, çka me siguri se nuk do të përbënte risi”.
“Ne ftojmë Policinë dhe Prokurorinë që sa më parë të gjejnë fajtorët dhe t’i vënë para përgjegjësisë, kurse ftojmë PDK-në që t’i japë fund akuzave të pabaza dhe tendencave për të nxitur konflikt në shoqërinë tonë”.
















