Memoria është në themel të identitetit tonë

E publikuar: 25/08/2017 11:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Gentiana Mara Sula

Besoj fort se Shqipëria do të bëjë politika të vetat të memories të mira, kur e kupton thellësisht që vetë historia e saj ka dhe dimension rajonal, dhe ndërkombëtar, edhe atëherë kur do të bëhet pjesë e të kuptuarit të historisë së vet në një kontekst më të gjerë. Memoria historike është në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive. Ajo luan rol në ndërtimin e raporteve mes grupeve të ndryshme të shoqërisë, brenda vendit. Por ajo luan rol edhe në ndërtimin e raporteve mes vendeve të ndryshme. Mundet gjithashtu të jetë dhe burim i tensioneve apo konflikteve. Iniciativa të tilla, si: muze, ekspozita, monumente, letërsi, filma dokumentarë e historikë apo web faqe e punë krijuese e artistike të tjera, luajnë të gjitha rol në krijimin dhe zhvillimin e një pikëpamjeje historike të individëve e grupeve të caktuara, dhe janë të gjitha mjete komunikimi të diskutimit kombëtar apo ndërkombëtar.

Këto aktivitete influencohen në fakt, në faktorë politikë, direktë apo indirektë, qoftë edhe vetëm se financohen nga burime publike e kthehen në instrumente të politikave të memories e janë shumë të rëndësishme për jetët e njerëzve dhe komunikimin mes tyre. Po siç na mëson Hannah Arendt, “çështjet e politikave janë shumë serioze për t’ua lënë politikanëve”. Prandaj na takon neve profesionistëve të këtyre subjekteve të merremi seriozisht me këtë punë.

Cilat janë këto instrumente? Këta aktorë?

Një instrument i tillë është edhe AIDSSH. Është ky muze. Janë muzetë e rretheve. Varrezat e dëshmorëve. Librat e botuar për LANÇ; lapidarët që përkujtojnë veprat heroike të dëshmorëve kundër nazifashizmit. Janë disa memoriale që shënjojnë krimet e diktaturës dhe disa të tjera që po planifikohen etj. Janë shoqatat e ndryshme që synojnë kujtesën, ato të veteranëve të Luftës Antifashiste, ato të përkujtimit të viktimave të diktaturës, studiues, aktivistë, të mbijetuar e sidomos familjarë të të mbijetuarve apo viktimave që nuk ia dolën dot.

Ne, profesionistët dhe aktivistët e zhvillimit dhe zbatimit të politikave të memories duhet të mos harrojmë se pavarësisht arsyeve që na motivojnë në punën tonë, të mos harrojmë qëllimin final: që duhet të promovojmë paqe dhe harmoni në bashkësinë tonë, t’i shërbejmë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe kohezionit shoqëror, të bindur se objektivizmi, hapja dhe toleranca janë mënyra më e mirë se si rishqyrtohet historia dhe trajtohet trashëgimia jonë e përbashkët, dhe se si ndërtohet diskutimi mbi historinë mes vetes e me vendet e tjera.

Mendoj se biem dakord se mënyra se si i përkujtojmë ngjarjet tona, ato të shekullit XX, shpesh krijon tension mes nesh. Narrativat tona për te ngjarjet janë shpesh jokonverguese dhe prandaj ndonjëherë përçarëse. Prandaj ju kërkoj modestisht juve që keni ndoshta dekada që merreni me memorien, të reflektojmë së bashku për parimet e shëndosha të mënyrës se si duhet kujtuar.

Do të përmend shkurtimisht këto parime që ka formuluar ENSR e që shumë shpejt do t’u propozohen të gjitha institucioneve dhe aktorëve të memories, për t’i bërë të vetat:

Të paraqiten këndvështrime të ndryshme
Që do të thotë se çdo iniciativë për diskutimin e historisë të synojë që të ftojë këndvështrime, arsyetime dhe argumente nga të gjitha palët që janë përfshirë në ngjarjet e caktuara që diskutohen. Paraqitjet afirmative të koncepteve për botën që janë totalitariste, raciste apo shoviniste, sigurisht që janë të papranueshme.

Të evitohen shprehjet deterministe
Që do të thotë se ne që jemi aktorë të politikave të memories duhet të bëjmë çmos që të evitohen sugjerime të prera për audiencën tonë, për gjoja lidhje permanente shkak-pasojë të relacioneve mes njerëzve dhe popujve.

Të evitohen përgjithësimet
Përmbajtja e të gjitha projekteve tona të politikave të memories duhet të jetë proporcionale me natyrën dhe qëllimin e fenomenit historik me të cilin ato lidhen. Fakte individuale me domethënie pozitive e negative, edhe nëse janë të verifikuara nga pikëpamja historike, nuk duhet të përdoren për të ilustruar sjellje të një komuniteti të tërë. Çdo fakt duhet të përdoret në kontekstin që reflekton vendin aktual që ka në historinë e bashkësisë përkatëse.

T’i trajtojmë figurat historike si individë
Me qëllim që të evitohet krijimi dhe shpërndarja e stereotipeve të cilat mund t’i atribuohen gjithë bashkësisë, kur të portretizojmë aksione historike të lavdërueshme apo krime, personat që marrin pjesë në ngjarje, të paraqiten sa më shumë të jetë e mundur në mënyrë të individualizuar.

Të sigurohet një bazë gjenuine historike
Përfshirja e historive tërësisht “fiction” (të sajuara, letrare) mbi historinë, përbën risk që me dashje apo pa dashje të shtrembërohet e kaluara. Për këtë arsye, ne që jem pjesë aktive e krijimit të memories, qoftë edhe përmes financimit të projekteve të ndryshme të dokumentimit, duhet të bëjmë çmos që shifrat dhe faktet të jenë sa më afër kontekstit historik dhe të vërtetës.

Të përdorim njohuritë e nivelit akademik si burime
Për sa i përket kontekstit historik, çdo diskutim mbi politikat e memories duhet të bazohet në gjetje akademike që lidhen me përmbajtjen që po trajtohet. Gjatë punës, çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike dhe njohuritë e duhura për këtë punë. Të gjithë ne, për çdo produkt duhet të publikojmë proceset e konsultimit, akademikët që kanë marrë pjesë dhe kreditë e tyre, kudo ku ata marrin pjesë, qofshin filma apo ekspozita etj.

Në këtë mbledhje dëshiroj të ftoj të gjithë ata që merren me politikat e kujtesës në vend të diskutojmë mbi këto parime të mënyrës se si kujtojmë dhe të nënshkruajmë standardet ndërkombëtare të kujtesës që propozon ENSR.

Po ashtu, në emër të AIDSSH ju njoftoj se do t’i propozojmë Kuvendit që të aprovojë 23 gushtin, Ditën e Fjongos së Zezë, si ditën e përkujtimit të viktimave të sistemeve totalitare.

Sistemet totalitare duken larg tani dhe histori e përfunduar. Por më lejoni të citoj përsëri Hannah Arendt, kur thotë: “Subjekti ideal i regjimit totalitar nuk është nazisti i bindur apo komunisti i dedikuar, por njerëzit për të cilët nuk ka dallim fakti nga trillimi, apo e vërteta nga gënjeshtra”./Mapo.al/

*Fjala e rastit e mbajtur me rastin e 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit./mapo.al/