Kur Lutfi Haziri i quante hajna të pulave udhëheqësit e Vetëvendosjes

E publikuar: 25/08/2017 15:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndonëse janë bërë bashkë dhe po negociojnë për të njëjtin qëllim, ardhjen në pushtet dhe pamundësinë që PAN të jetë në krye të saj, dikur këto dy parti, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK kishin hasmëri të hapur ndaj njëri tjetrit. Madje ishte edhe Vetëvendosje ajo që iu bashkua PDK-së, Nismës e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë ‘Mustafa’.

Por jo vetëm kaq. Janë 70 dosje që partia e Albin Kurtit i kishte dërguar në prokurori kundër qeverisjes komunale, dikur e udhëhequr nga Isa Mustafa. E këtë veprim, dje e quajtën si punën më të mirë që Ahmeti e kishte bërë gjatë mandatit të tij në krye të Prishtinës.

Derisa sot, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës flet për takimet e njëpasnjëshme që po i bëjnë me Albin Kurtin duke folur për një bashkëqeverisje në mes tyre, dikur ai e kishte shikuar ndryshe ish liderin e Vetëvendosjes.

Për Hazirin, Albin Kurti nuk ishte asgjë më shumë se sa “hajn i pulave’.

“Nuk merremi me hajna të pulave. Se hajnat e pulave e dinë se kush është kategoria e parë, e dytë, e tretë, e pestë… Se hajni e njeh hajnin. Kur hajni bën gisht këqyre hajnin është puna më e rrezikshme”, kishte thënë Haziri, për Gazetën Express.

E moralin e Albin Kurtit, nënkryetari i LDK’së e kishte krahasuar me atë të Ahmet Zogut.

Hiq më ndryshe nuk kishte menduar as Kurti, kur para deklaratës së Lutfi Hazirit kishte thënë  se LDK, AAK dhe NISMA janë hajna të ligës së dytë.

Ndryshe, në takimin e sotëm që u zhvillua në mes të Albin Kurtit dhe Lutf Haziri, ky i fundit tha se beson që bisedat në të ardhmen do të fokusohen në përafrimin e politikave.

Ndërsa shtoi se binari i dytë i bisedave do të jetë i fokusuar në nivel të liderëve dhe do të diskutohen të gjitha çështjet për t’i dhënë vendit institucionet sa më shpejt./GazetaExpress/