LDK edhe sot i ka kërkuar sqarime Vetëvendosjes për 70 dosjet kundër Isa Mustafës

E publikuar: 24/08/2017 18:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të koalicionit LAA (LDK, AKR dhe Alternativa), Avdullah Hoti, ka kërkuar edhe një herë sot sqarime nga Lëvizja Vetëvendosje për sulmet fizike ndaj kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, 70 dosjet e dërguar kundër tij dhe Mustafës në prokurori, shpifjet, etj.
“Ata duan koalicion me LDK-në, por nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me LDK-në siç kërkohet.

Rruga e vetme e bashkëpunimit me ne shkon përmes deklarimit për sulmet e shpifjet në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë Kuvendit të Kosovës. Si mund të bashkëpunojnë me ne kur kanë dërguar 70 dosje në prokurori? A jemi të njëjtit njerëz që tash po kërkojnë të bashkëpunojmë? Duhet të kenë dinjitetin e nevojshëm dhe të deklarojnë se ato veprime kanë qenë me qëllim të ardhjes në pushtet. Vetëvendosje në mandatin e kaluar shkoi shumë larg, duke sulmuar Kryeministrin fizikisht, duke ja rrezikuar jetën atij, familjes së tij dhe stafit të tij përcjellës”, ka thënë nder tjerash Hoti.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me kërkim faljen e mundshme dhe sqarimet siç i ka kërkuar sot Hoti i LDK-së.

“Mund t’i referoheni fjalimit të Albinit sot në Kuvend”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësi i VV-së, Shkodran Hoti, duke shtuar se “nuk dëshirojnë të komentojnë për këtë çështje.

E krejt çka ka thënë sot Kurti në Kuvend për LDK-në është se janë të gatshëm për bashkëpunim dhe për harmonizim të programeve, por as nuk ka kërkuar falje e as nuk ka bërë sqarime. Bile Kurti e ka akuzuar Mustafën se po fshihet dhe se janë takuar vetëm një herë që nga përfundimi i zgjedhjeve.

Të kujtojmë se LDK-së dhe Isa Mustafa edhe javën e kaluar kanë kërkuar kërkim falje dhe sqarime nga Lëvizja Vetëvendosje për sulmet ndaj tyre, respektivisht Mustafës dhe dërgimin e 70 lëndëve në prokurori për periudhën kur Komunën e Prishtinës e drejtonte Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti.

As atëherë nuk ka pasur përgjigje nga Vetëvendosje.