Kuvendi i Kosovës, 1 orë përplasje e akuza, por jo zgjidhje: Veseli e Kurti, në garë për më të “fortin”

E publikuar: 24/08/2017 13:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për herë të gjashtë Kuvendi i Kosovës në vend të zgjedhjes së kryeparlamentarit e nënkryetarëve, për t´I hapur rrugën krijimit të institucioneve të reja, i ka servirur qytetarëve përplasje e akuza mes politikanëve, të cilët se kanë problem të përdorin edhe vdekjen e një të riu për të “luftuar” mes tyre për karrigen e pushtetit.

I nominuari i Vetëvendosje-s për kryeministër Albin Kurti e kryetari i PDK-së Kadri Veselin, seancën e sotme e kanë shndërruar në betejë mes tyre për të treguar se kush është më i forti e kush më atdhetar.

E gjitha nisi pas fjalimit të Kurtit i cili kërkoi nga Veseli të provojë votimin, pasi është propozuar nga PAN për kryekuvendar. Ai hodhi akuza në drejtim të PDK-së për keqqeverisje në të gjitha fushat si në drejtësi, arsim, shëndetësi etj.

“Ata (PAN) që kanë sabotuar institucionin më të lartë të Republikës, thonë se janë për demokraci e nuk po pranojnë votën e qytetarëve, të cilët kanë vendosur për ndryshim, thonë se janë me aktorët ndërkombëtare e u qortuan nga ta për sabotimin e Kuvendit. Nuk janë thjeshtë humbës të zgjedhjeve, por kundër institucioneve dhe demokracisë”, tha Kurti.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli i cili kërkoi të mos abuzohet nga deputetët me foltoren e Kuvendit.

“Përdorimi i të ndjerit Astrit Dehari për pushtet”

Veseli u shpreh se Kurtit nuk i intereson se çfarë ndodh në Kuvend, por vetëm të akuzojë PAN-in se po mban shtetin peng.

“Lufta politike e ka deri diku një llogjikë dhe bëhet vetëm për të fituar. Deri diku e ka legjitimitetin, pavarësisht se moralitetin e lënë anash. Nuk është mirë që nga kjo foltore të bëhen shumë abuzime. Duhemi të ruhemi nga pak për hir të fytyrës dhe fëmijëve. Secili e ka një fëmijë, ka diçka… Albini e përmendi emrin tim, pastaj unë si një lider që e konsideroj, shoku Mao e quaj. Albinit nuk i intereson se çfarë ndodh në këtë Kuvend aktualisht. Thotë këta e mbajnë shtetin peng. Keni ka sulmuar familjen, Kuvendin, e keni marrë në qafë Astrit Deharin”, tha Veseli.

Por ai nuk u ndal këtu, ndërsa duke iu drejtuar Vetëvendosjes tha se trimëritë nuk mund të shiten në Kuvend as me PDK-në.

“Trimëria me ne nuk ju ecën, veçanërisht me mua. Është mirë të jemi korrekt. Situata aktuale politike është 60 vota. Nuk ka të drejtë askush t’i bllokojë institucionet. Kushdo që i bën 61 vota do t´a formojë qeverinë”, deklaroi Veseli, duke i premtuar votën Kurtit si për kryekuvendar e kryeministër nëse VV i bën 60 vota.

Por Kurti menjëherë u kundërpërgjigj duke thënë se ai shtroi vetëm një pyetje dhe nuk e kupton pse Veseli është nervoz.

“Pse s’po matesh ? Dil matu, shiko a i ke 61 deputetë. Pse gjithë ky inat, pse gjithë kjo mëri e gjuhë e urrejtjes, ashpërsi kundër nesh. Unë vetëm një pyetje të thjeshtë bëra”, tha Kurti.
Ai më pas ju kundërpërgjigj Veselit edhe për akuzat që i bëri për sulmin terrorist ndaj Kuvendit, ku tha se një i akuzuar qëndron në Kuvend duke aluduar në Frashër Krasniqin.

“Sa për pesë të arrestuarit e Vetëvendsojes, në muajin gusht të vitit ë kaluar zoti Veseli ka dhënë urdhër që të shkojnë në burg, ata u liruan dje, por ky nuk arriti të bëjë punën e Prokurorisë dhe Gjykatësit deri në fund. Ka dështuar në uzurpimin e drejtësisë. Astrit Dehari është mbytur në burg, është Qeveria e Vetëvendosjes që do ta çlirojë vendin nga ta dhe do të zbardhet ky rast”, tha Kurti.

Por Veseli tha se Albini është duke manipuluar.

“Mos të çmendemi për karrige, bëji 61 vota Albin dhe do të jesh kryeministër. Sherrin ka për ta parë Kosova, pasi do kthesh Serbinë këtu”,tha Veseli

Përplasja e Veselit edhe Kurtit për flamurin…

Kurti e Veseli janë përplasur edhe për flamurin kombëtarë. Kryetari i PDK-së i përmendi flamurin kombëtar VV-së, të cilin e ka vënë para foltores në momentin e betimit si deputetë, duke i pyetur se a janë vetëm ata atdhetarë dhe të tjerët tradhëtarë? Në vijim, Veseli pyeti se çfarë do të ndodhë nëse Lista Serbe nxjerr flamurin e saj.

Kurti u kundërpërgjigj duke thënë se për Veselin nuk ka dilema më, kur krahason flamurin kombëtar me atë të Serbisë.

“Ju e patë se si e barazoi flamurin kombëtar me atë të Serbisë. Pa e pyetur fare, ky përgjigjet për të gjithë ata që kanë pasur dilema”, ai.

Pas përplasjes Kurti-Veseli, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci e mbylli punimet pa treguar se kur do të vazhdojë ajo. /tesheshi.com/