Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika është në “radarët” e mazhorancës së re për t’u larguar nga detyra. Ndonëse Kryeministri Edi Rama e ka dekoruar kreun e SHISH për punë të mirë, me sa duket ky ka qënë vetëm një pakt apo “detante” mes tyre, në funksion të punës së bërë nga ana e qeverisë dhe mazhorancës së kaluar për reformën në drejtësi dhe miratimin e saj. Por duket se ristrukturimi do të kapë dhe shërbimin sekret dhe pritet që në krye të herës me miratimin e strukturës së re, konform modelit të shërbimeve sekrete dhe të vendeve anëtare të NATO-s, të ndryshojë dhe kreu i SHISH. Pra të largohet Visho Ajazi Lika. Kjo është një nga mënyrat se si duhet të largohet ai nga drejtimi i këtij institucioni tepër të rëndësishëm të shërbimit inteligjent, i vendosur aty nga Berisha.
Ndërkohë që ka qënë tërësisht i akuzuar nga mazhoranca për vënien nën përgjim në kundërshtim me ligjin të krerëve më të lartë të shtetit, duke filluar nga ish-kryetari i Kuvendit Ilir Meta aktualisht President i Republikës, kryeministri aktual Edi Rama, ministrat e deri tek drejtorët e policisë në qarqe. Madje ka pasur akuza se të gjitha informacionet për Berishën, duke filluar nga lajmet për përdorimin e aeroportit të Gjadrit për trafik droge dhe lajme të tjera, sikurse dhe janë pranuar nga vetë ai, janë dhënë nga kreu i Shërbimit Sekret shqiptar për kreun e opozitës. Pikërisht për këtë arësye mund të përdoret dhe ndryshimi i strukturës së SHISH dhe shkrirja e tij me shërbimet e tjera inteligjente, mjaft të kontestuara që në gjenezë këto lëvizje.
Dhe nëse dështon një gjë e tillë, pra largimi përmes strukturës së re dhe shkrirjes së SHISH me agjencitë e tjera të inteligjencës, atëherë Ramës i bie të “falet” tek Meta. I cili do ta ketë shumë të vështirë të hedhë firmën për një propozim të tillë të Ramës, pa qënë i argumentuar mirë. Ku si fakt kundër shkarkimit mendohet të përdoret dhe vlerësimi maksimal që kryeministri i ka dhënë Visho Ajazi Likës për punë të mirë, duke e dekoruar atë. Mësohet se në këtë rast, do të përdoren dhe akuzat ndaj Visho Ajazi Likës për lidhje me agjentët dhe spiunët e vendeve jo mikë dhe armike të Shqipërisë dhe vendeve anëtare të NATO-s, kryesisht SHBA-së si kontributore kryesore në Aleancë.
Ndaj pikërisht përmes fotove dhe ankesave të shërbimeve sekrete partnere të servirura kohë më parë për ish presidentin Nishani por dhe për kryeministrin Rama do të shërbejnë si bazë për largimin me ceremoni të Visho Ajazi Likës nga drejtimi i SHISH, nëse refuzon të japë dorëheqjen në fund të vitit. Pasi, shërbimet e huaja mësohet se kanë dorëzuar në duart e ish -Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, një fotografi të dyshimtë të kreut të institucionit kryesor të spiunazhit në Shqipëri, Visho Ajazi Lika, me një zonjë të quajtur Ollga, e cila dyshohet për lidhje me shërbimet sekrete ruse. Kjo foto ndodhet dhe në tavolinën e kreut aktual të shtetit Ilir Meta.
Sipas burimeve, fotografia dhe lëvizjet e Likës kanë shqetësuar dhe alarmuar shërbimet e NATO-s, për mundësinë e rrjedhjes së sekreteve në duart e spiunazhit serb dhe rus, çka rrezikon jo vetëm standardet e sigurisë kombëtare të Shqipërisë, por edhe të Aleancës. Ndërkaq, fotografia, e cila është në tavolinën e Presidentit, flet për lëvizjet e Visho Likës si dhe për takimin me Ollgën, mikeshën e tij nga Rusia. Kjo e fundit, dyshohet se punon për shërbimin sekret më të frikshëm të botës, ish KGB-në sovjetike.
Kreu i SHISH e ka njohur zonjën në fjalë në Kanada prej shumë kohësh, ndërkohë që të dy kanë konsumuar disa takime të fshehta. Gjithçka është konfirmuar nga burime të sigurta brenda Shërbimit Informativ Shtetëror. Sipas këtyre burimeve, kreu i spiunazhit shqiptar, ka zhvilluar vizitë në Katar, e lajmëruar kjo dhe për vartësit, vizitë e cila është kamufluar me çështjet e punës.
Nga Katari, Visho Lika ka udhëtuar në mënyrë të fshehtë drejt Pakistanit, ku është takuar me Ollgën. Vizita, është dekonspiruar, pasi shërbimet e huaja sekrete kanë konfirmuar lëvizjet e kreut të SHISH me një provë të pakundërshtueshme, që është fotografia, e cila vijon të qëndrojë në tavolinën e Presidentit të ri Ilir Meta. Kështu, si të mos mjaftonte e kaluara e tij e zezë në SHIK-un e Bashkim Gazidedes, dyshtetësia, e kaluara e dyshimtë në Kanada, statusi i paqartë i azilantit etj., kreu i institucionit kryesor të spiunazhit në Shqipëri mund të ketë kontakte edhe me shërbimin sekret më të frikshëm të botës, siç është ish- KGB-ja sovjetike. Ndërkohë që kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, dyshohet se ka lidhjet edhe me qarqet iraniane.
Me sa duket, Lika ka ecur në gjurmët e ish-shefit, Bashkim Gazidede, e cila ka jetuar në Iran. Gazidede ka punuar si mësues, por sigurisht që ka bërë një punë të dyfishtë. Ndërkaq, deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar asokohe verifikimin e figurës së Visho Likës si dhe hetimin e të kaluarës së tij në Kanada. Dhe më pas kërkuar hetimin e tij për lidhjet me agjenten ruse Ollga por dhe lidhjet me ish kreun e Gardës Revolucionare të Iranit, njeri me peshë në regjimin e Teheranit dhe njeri që lëviz trafikun e armëve në rajon dhe Evropë.
Nga ana tjetër mbështetur në këto informacione, NATO e përjashtoi Shqipërinë nga njohja me sekretete e Aleancës. Gjatë qeverisjes së Berishës, Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, i ka kufizuar aksesin Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë në sekretet ushtarake, pas skandalit të shitjes së sekreteve tek shërbimet serbe dhe ruse. Por, kufizimi i aksesit në informacionin e klasifikuar si një vend anëtar tashmë i pabesueshëm, nuk është e vetmja masë që NATO ka ndërmarrë kundrejt Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj në aleancë në atë kohë. NATO përjashtoi nga mbledhjet e rëndësishme përfaqësuesin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, duke u nisur nga precedenti i shitjes së sekreteve të Aleancës.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes në NATO kishte thjeshtë një rol formal, pasi ai nuk ftohej në mbledhjet e rëndësishme, për shkak të aferave të Ministrisë së Mbrojtjes. Fillimisht vendit iu hoq e drejta për të hyrë në rrjet dhe për të parë informacionet e NATO-s apo lëvizjet e saj operacionale. Vetëm pas ardhjes së mazhorancës së majtë në pushtet, Shqipëria u bë një partner i besueshëm i NATO-s dhe merr pjesë në të gjitha projektet dhe analizat e situatave, sado sekrete qofshin këto. Madje duke pasur akses kudo, dhe duke qënë një ndër partnerët më të besuar të Aleancës, e nënvizuar dhe nga drejtuesit e lartë të saj. Pikërisht mbështetur në këto fakte, foto dhe prova, por dhe informacioneve të shërbimeve partnere, mësohet se do të kërkohet largimi i Visho Ajazi Lika nga kreu i SHISH. Duke e vënë dhe Metën përpara faktit të kryer, që si President, të mos ketë asnjë arësye për të mos firmosur shkarkimin e tij./Pamfleti.com