Ministri serb i Administratës Shtetërore dhe të Administrimit Lokal, Branko Ruzhiq, ka thënë se dialogu i brendshëm që e ka iniciuar kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, po ecën drejt zgjidhjes së nyjës kosovare të Gordit.
Ai, siç shkruan gazeta “Politika” e Beogradit, ka thënë se përmes këtij dialogu duhet shikuar treguesit realë të gjendjes në Kosovë dhe të mundësitë që krahas realizimit të marrëveshjeve të Brukselit të merren parasysh edhe interesat e serbëve të Kosovës, pastaj ruajtja e trashëgimisë kulturore serbe dhe vënia në funksion e eksterritorialitetit të manastireve të Kishës Ortodokse serbe, i cili sipas tij është i paraparë edhe me planin e Ahtisaarit, transmeton Koha.net.
“Natyrisht, e gjithë kjo pa njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Ruzhiq.
Ministri është deklaruar kundër përpjekjes së disa opozitarëve në Beograd që çështja e Kosovës të shndërrohet në “konflikt të ngrirë”.
“Serbia nuk tregton me Kosovën”, ka thënë ai.