Veshje e ushqime tradicionale, valle popullore, punime të drurit e artizanale të ndryshme, u prezantuan në sheshin “Adem Jashari” në qytetin e Vushtrrisë, në një panair njëditor që u mbajt në kuadër të Ditëve të Diasporës.
Panairi i artizanaleve dhe ushqimeve tradicionale është i pari i këtij lloji, që u organizua nga Muzeu Historik-Etnografik i Vushtrrisë dhe organizata joqeveritare “Mundësia”, me mbështetje të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Komunës së Vushtrrisë, shkruan sot Koha Ditore.
Në ceremoninë hapëse të panairit, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, ka thënë se panairi është organizuar me qëllimin që t’i ofrojë bashkatdhetarët me traditën.
“Komuna e Vushtrrisë për të satën herë po mban ‘Ditët e Diasporës’, e ky panair është bërë për t’iu mundësuar atyre të blejnë produkte vendore dhe tradicionale në mënyrë që të kujtojnë të kaluarën”, ka thënë Mulaku.