Moment të rëndësishëm e festë për Nismën e Kosovën, e ka quajtur kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj, aderimin e ish-deputetit të PDK-së, Shukri Buja.
Limaj ka thënë se Buja është kthyer në shtëpinë e tij, raporton Koha.net.
“Për Nismën ky është moment i rëndësishëm. Do të jemi më të fuqishëm sesa kemi qenë. Nga sot pjesë e projektit tonë politik do të jetë Shukri Buja. Kemi qenë bashkëpunëtorë të hershëm e në momentet më të vështira. Pas një shkëputje të shkurtër tash sërish jemi bashkë. Po flasim për një njeri nga një familje e madhe dhe e nderuar që ka dhënë shumë për Kosovën”, ka thënë Limaj.
“Buja ka ardhë në shtëpinë e tij, asnjë gjë të re nuk kemi çka i flasim njëri-tjetrit. Kjo është shtëpia e tyre dhe kushdo që dëshiron të na bashkohet mund të vijë. Ne jemi Nisma për Kosovën pavarësisht koalicionit ne jemi subjekt politik. Parti socialdemokrate, që mban parimet dhe fjalën”, ka thënë Limaj.
Në anën tjetër, në prezantimin e tij te Nisma, ish-deputeti e ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka thënë se pas një angazhimi të gjatë në Partinë Demokratike të Kosovës është angazhuar në një subjekt tjetër.
“Jo lehtë, por pas mbylljes së shtigjeve e gjeta një shteg tek shokët e mi të luftës”, ka thënë Buja, raporton Koha.net.
Kujtojmë se Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Kadri Veseli, nuk e përfshiu deputetin Buja në listën e kandidatëve për deputetë të koalicionit PAN, ku nga 110 kandidatë, gjysma i takonte PDK-së.

















