Filmi “Elvis Walks Home” me regji nga Fatmir Koçi do të marrë pjesë në Montreal World Film Festival 2017, që zhvillohet nga data 24 Gusht – 4 Shtator. “Elvis Walks Home” është seleksionuar në World Competition, për çmimin “Grand Prix des Americas” 2017. Detaje për pjesëmarrjen në festival do të japë vetë regjisori ditën e enjte në konferencën për shtyp, ku do të jenë dhe disa nga aktorët kryesorë që luajnë rolet e fëmijëve. Prodhimi kinematografik “Elvis Walks Home” i cili vjen në regjinë e regjisorit Fatmir Koçi sjell një bashkëpunim të Film and Music Entertainment (F&ME) të Britanisë dhe Kkoci Productions and Zagreb’s Propeler Films. “Elvis Walks Home”.
Por nuk është bashkëpunimi i parë mes tyre, duke kujtuar këtu filmin e njohur “Amsterdam Express. Në këtë prodhim kinematografik marrin pjesë emra të njohur të aktrimit në Shqipëri si Amos Zaharia, Dritan Kastrati, Romir Zalla, Sara Kapo, Ergys Halili, Maradona Kodra, etj. Roli i protagonistit i është besuar aktorit britanik Nick Shreli, i cili vjen si një djalë që gjen punë si zbavitës për trupat britanike gjatë luftës në Ballkan në vitin 1999, por shumë shpejt do ta gjejë veten në mes të betejës.
Shrelin e kujtojmë nga prodhimi kinematografik “Mickey”. Filmi bën fjalë për fatin e disa fëmijëve jetimë nga lufta të mbetur në rrugë, ndërkohë që me ta takohet një imitues i Elvis Presleyt, i cili zbret në Ballkan për të argëtuar trupat britanike. Aktor kryesor, Dritan Kastrati është shprehur se roli i tij është mjaft i rëndësishëm për vetë dramën që mbart dhe rrëfimin e një kohe, e cila sjell një pjesë të Shqipërisë së dikurshme. Më parë regjisori Koçi solli “Amsterdam Express”.
Në këtë film që ishte po bashkëpunim me (F&ME) të Britanisë marrin pjesë aktorë që punojnë brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, si Blerim Destani, Flonja Kodheli, James Biberaj, etj. Filmi trajton historinë e një djali shqiptar që transferohet në Amsterdam për të siguruar para, për të ndërtuar shtëpinë e tij në Shqipëri, ku ka lënë dhe të dashurën. Në kryeqytetin hollandez përfshihet në aktivitete kriminale dhe në një tjetër raport intim, duke përfunduar kështu mes trazirave dhe dy dashurive. Pas këtij realizimi regjisori Koçi tashmë do të prezantojë “Elvis Walks Home” ,që do të marrë pjesë dhe në festivalin kanadez