Aeroplanët luftarakë japonezë kanë kryer manovra ushtarake me bombarduesit amerikane në jugperëndim të gadishullit korean, teksa Koreja Veriore konsideroi nëse ta sulmojë me raketa territorin e administruar nga SHBA-ja në Paqësor, Guam.
Koreja e izoluar Veriore nuk i ka mbajtur aspak te fshehta planet për ta zhvilluar një raketë që është në gjendje të bartë armë bërthamore dhe ta arrijnë SHBA-në, për t’i luftuar ato që i cilëson si kërcënime të vazhdueshme për pushtim nga SHBA-ja, siç janë ushtrimet ushtarake amerikane me fqinjët Korenë Jugore dhe Japoninë, transmeton Express.
Koreja Veriore i ka injoruar paralajmërimet nga Perëndimi dhe aleati i vet i vetëm, Kina, për t’i ndalur testimet raketore dhe bërthamore, të cilat i kryen duke i shkelur rregullat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ndërkohë Forcat Ajrore Amerikane kanë thënë se ushtrimet e së mërkurës dëshmojnë për solidaritetin dhe përkushtimin që SHBA-ja e ndan me aleatët e vet për ta ruajtur paqen dhe sigurinë./Express/