Nga David L. Philips
Kosova i shkëputi lidhjet me Serbinë më 1991 si kundërpërgjigje ndaj represionit drakonik të Slobodan Millosheviqit. Më shumë se dhjetë mijë shqiptarë të Kosovës u vranë dhe mbi një milionë të tjerë u zhvendosën gjatë fushatës represive të Serbisë. NATO nisi më 24 mars 1999 fushatën e bombardimeve ajrore, me qëllim të parandalimit të spastrimit etnik. Luftës i dha fund Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën u vendos Administrata e Përkohshme e OKB-së (UNMIK) në Kosovë.
UNMIK-u ofroi ndihmesë për vetëqeverisje lokale dhe ndihmoi procesin për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, duke i hapur rrugë shtetësisë së Kosovës.
Kur Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, Serbia e sfidoi deklaratën e pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Megjithatë, GJND-ja vlerësoi se deklarata ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas sekretares së atëhershme amerikane të Shtetit, Condoleeza Rice: «Kombinimi i pazakonshëm i faktorëve në rastin e Kosovës – përfshirë ndarjen e Jugosllavisë, historinë e spastrimit etnik dhe krimet kundër civilëve në Kosovë, si dhe periudha e zgjatur e administratës së OKB-së – nuk janë hasur askund tjetër, rrjedhimisht Kosovën e bëjnë rast special».
Pavarësia e Kosovës shkaktoi zhgënjim, mosbindje dhe zemërim anembanë Serbisë dhe nëpër enklavat serbe të Kosovës. Për shumë serbë, Kosova është pjesa më e shenjtë dhe më e rëndësishme e Serbisë, djepi i shtetësisë, kulturës dhe shpirtit serb. Serbët besojnë në prejardhjen hyjnore të sundimit serb. Instrumentet frymore të manastirit ortodoks të Deçanit të shekullit të katërmbëdhjetë në Kosovë ishin farkëtuar prej shpatave të fisnikërisë serbe të shuar në luftë kundër turqve osmanë. Serbët e konsiderojnë Betejën e Kosovës të vitit 1389 si pjesë të luftës së vazhdueshme ndërmjet dy civilizimeve – atij të krishterë dhe europian, dhe tjetrit islamik dhe aziatik.
Deri në ditët e sotme, Serbia refuzon ta pranojë se e ka humbur Kosovën; Kosova kurrë më nuk do të jetë nën kontroll të Serbisë. Deri tani, 114 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Serbia mundohet sistematikisht t’i sfidojë orvatjet e Kosovës për të pasur njohje të reja ndërkombëtare. Serbia minon shtetndërtimin e Kosovës, duke vendosur struktura paralele në veri të Kosovës, ku banojnë serbët. Me përkrahjen ruse, Serbia mbështet fushatat kundër anëtarësimit të Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare, si Interpoli dhe UNECSO.
Qasja e Serbisë mund të ndryshojë. Më 24 korrik 2017, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shkroi një shkrim autorial, duke i bërë thirrje popullit serb «të mos e mbajë kokën në rërë» kur vjen puna te çështja e Kosovës, dhe të fillojë «një dialog të brendshëm». Sipas Vuçiqit: «Ne duhet të tregohemi realistë, të mos e dorëzojmë ose ta humbim atë që e kemi, por të mos presim se do të kthejmë çfarë e kemi humbur kaherë».
Vuçiqi mund të sjellë marrëveshje për Kosovën. Ka mandat të fuqishëm të bazuar në monopolin e tij nacionalist, dhe është zgjedhur së fundi president me mandat pesëvjeçar.
Qëndrimi i tij gëzon përkrahje. Sipas ministrit serb të punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministrit të parë, Ivica Daçiq, «kohët dhe marrëdhëniet ndërkombëtare kanë ndryshuar».
Vuk Drashkoviq, drejtues i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, e pranon: Serbia duhet «ta pranojë dhe njoh realitetin e Kosovës», si bazë për «zgjidhje të qëndrueshme». Akademia Serbe e Arteve dhe e Shkencave, tradicionalisht me qëndrim të sertë, nuk ka shprehur kundërshtim.
Por çfarë e shtyri Vuçiqin të shkruante për Kosovën dhe të propozonte dialog të brendshëm në mesin e serbëve midis verës? A është përnjëmend i sinqertë kur vjen puna te zgjidhja e problemit Kosovë-Serbi, apo thjesht po tregohet i arsyeshëm për të përfituar nga Brukseli?
Vuçiqi është edhe pragmatist, edhe politikan i matur. Serbisë i kërkohen reforma kushtetuese për t’i përmbushur standardet e «acquis communautaires» të BE-së. Negociatat për anëtarësim i kërkojnë Serbisë shumë ndryshime themelore në sistemin ligjor, ekonomik dhe politik, duke rezultuar me europianizim të rendit kushtetues serb.
Partia Radikale Serbe, më e madhja në opozitë kundër qeverisë së Vuçiqit, kundërshton me vendosmëri reformat kushtetuese. Vuçiqi mund të vihet para një zgjidhjeje të zorit: ose ta përkrahë njohjen e Kosovës në njërën anë, ose t’i kryejë reformat në anën tjetër. Kjo e fundit është larg më e pranueshme për serbët.
Vuçiqi mund të provojë t’i distancojë serbët nga problemet ekonomike. Në një goditje të fuqishme për ekonominë serbe FIAT-i, investitori më i madh i huaj në Serbi, mund ta mbyllë fabrikën e vet në Kragujevc. Vuçiqit i duhet përkrahje popullore për reforma ekonomike që prekin administratën shtetërore, financat publike dhe ekonominë për të përparuar në rrugën e anëtarësimit në BE.
Ose Vuçiqi mund të provojë të nxit përplasje nacionaliste, që rezulton me krizë. Serbia mund të kundërpërgjigjet me aneksimin e Kosovës veriore, duke jetësuar planin e ndarjes të Millosheviqit. Ky skenar duket i pamundshëm. Krijimi i një krize në Kosovë është punë e rrezikshme për një lidership. Vuçiqi e di se nuk mund të bëjë zgjidhje ushtarake, dhe ai aksion ushtarak në Kosovën veriore do të shkatërronte prospektet e Serbisë për anëtarësim në BE.
A po e shtron Vuçiqi terrenni për të marrë përsipër një barrë të madhe.
Barra e madhe do të nënkuptonte njohjen e Kosovës nga Serbia. Kosova do të anëtarësohej në OKB, derisa Kosova dhe Serbia do të vazhdonin punën për plotësimin e kritereve të anëtarësimit në BE, duke hyrë bashkërisht në BE.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së me qasje të reja dhe në format tjetër do të mund t’i printe marrëveshjes, duke zgjidhur njërin prej konflikteve më të vështira të Europës.
* Shkruar për «Huffington Post». Autori, ish-këshilltari i lartë dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare në administratat e Clinonit, Bushit dhe Obamas.