Deputeti i PDK-së thotë se Molliqaj e Krasniqi po e njollosin luftën e UÇK-së

E publikuar: 15/08/2017 17:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa thotë se Dardan Molliqaj dhe Frashër Kasniqi, që të dytë janë ata që i kanë sulmuar institucionet e vendit. Të njëjtit sipas tij, po marrin guximin edhe ta njollosin luftën e UÇK-së.

Beqa thekson se gjuha e tyre e urrejtjes ndaj luftëtarëve të lirisë nuk e njollos asnjëherë luftën çlirimtare.

Postimi i tij i plotë:

Dardan Mollotoviqi dhe terroristi Frashër Krasniqi, kjo dyshe që kanë udhëhequr sulmet terroriste ndaj institucioneve të shtetit, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës (shumica nga ta ish-pjesëtarë të UÇK-së), kanë marrë guximin të njollosin luftën çlirimtare dhe ëmblemën e UÇK-së.

Të mjerët veç zanin ia kanë dëgjuar luftës, ndërsa rrëfimet për UÇK-në i kanë marrë nga udhëheqësi i bandës së tyre kriminale, Albin Kurti, i cili kur ka qenë koha për të luftuar, e ka refuzuar uniformën e UÇK-së dhe ka ikur.

Mollotoviq dhe ti terroristi i vogël i tij, për UÇK-në ju vetëm mund të vazhdoni të shpifni e ta urreni, por sa e doni ju atë dhe udhëheqësit e luftës çlirimtare, e dinë të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Gjuha juaj e urrejtjes ndaj luftëtarëve të lirisë nuk e njollos asnjëherë luftën çlirimtare, ndërsa ju dy kryebanditët që keni orkestruar sulmet ndaj institucioneve shtetërore të krijuara me mund e gjak të luftëtarëve të lirisë, së shpejti do t’ju vijë fundi.