Edhe 5 ditë: A do ta përfillin LDK e VV ultimatumin e Behgjet Pacollit?

E publikuar: 14/08/2017 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë mbetur edhe 5 ditë tjera, nga ultimatumi 10 ditësh, që kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, dha për partnerin e tij të koalicionit parazgjedhor, LDK-në, dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilave u kërkoi që të bëjnë një marrëveshje për formimin e qeverisë. Nëse kjo nuk përmbushet kreu i AKR-së ka dhënë indikacione të qarta se mund t’i bashkohet koalicionit PAN.
Pacolli kishte paralajmëruar se në rast se kjo nuk ndodh të premten që vjen, atëherë partia e tij do të marrë veprime për të zhbllokuar formimin e institucioneve, e që janë interpretuar si gatishmëri për bashkëpunim me koalicionin PDK-AAK-Nisma, që për katër seanca me radhë po bojkoton seancën konstitutive të Kuvendit, në mungesë të numrave për ta votuar Kadri Veselin për kryeparlamentar.

“Kam fol edhe me z. Mustafa, do të flas edhe me z. Kurti dhe kam thënë se brenda dhjetëditëshit të parë, ju duhet të merreni vesh dhe nëse ju dy nuk jeni të gatshëm të formoni një qeveri, unë nuk di çfarë kuptimi ka qëndrimi im aty”, ishte deklarata e kreut të AKR-së, dhënë për televizion publik, të mërkurën që shkoi.

Por, kjo deklaratë e Pacollit, të hënën, pas seancës e cila dështoi sërish për mungesë kuorumi, u interpretua ndryshe nga ish-mandatari i koalicioni LAA për kryeministër, Avdullah Hoti, shkruan Gazeta Express.

“Është dëshirë e zotit Pacolli që të bëjë gjithë presionin juridik rreth themelimit të institucioneve”, tha Hoti, duke komentuar ultimatumin e kreut të AKR-së, që përveç tij numëron edhe tre ulëse tjera të deputetëve në Kuvend.

Edhe Isa Mustafa, një ditë pas deklaratës së Pacollit, pati treguar se qëndrimin e partnerit të tij të koalicionit nuk e sheh si ultimatum, por thjesht si një propozim që institucionet të formohen sa më parë.

“Nuk shoh ultimatum, këtë e shoh vetëm si propozim që institucionet të bëhen. Ata (PAN) të provojnë se a do të mund të bëjnë qeverinë, nëse jo të tregojnë që kanë dështuar. Behgjet Pacolli jam i bindur se do të jetë besnik ndaj marrëveshjes si dhe partnerët tjerë”, kishte thënë Mustafa, më 10 gusht të këtij viti.

Ultimatumin në fjalë e kanë mirëpritur brenda koalicionit PAN, të cilët edhe janë treguar optimistë se ky koalicion do të arrijë marrëveshje bashkëpunimi me AKR-në. Nënkryetari i AAK-së, Gazmend Abrashi, të dielën, deklaroi se ultimatumi i Pacollit tregon se njerëzit e biznesit i dinë humbjet ekonomike që vendi i pason si mungesë e zgjidhjes për formimin e institucioneve.

“Pacolli edhe tash po e dëshmon se është njeri i zgjidhjeve duke e vënë interesin e Kosovës në radhë të parë, ngase çdo ditë e kaluar pa krijim të institucioneve sjell humbje të pariparueshme për vendin tonë”, shkroi Abrashi në Facebook.

Ndërkohë, në ditën e pestë të ultimatumit, pas dështimit të një tjetër vazhdimi të seancës konstitutive, në mungesë të deputetëve të vetë koalicionit fitues PAN, në sallë, kryesuesi Adem Mikullovci njoftoi se për të mërkurën do të thërrasë në takim konsultativ përfaqësuesit e partive politike, për t’i hapur rrugë thirrjes së një seance e cila do të mbledhë të 120 deputetët në sallë për të zgjedhur kryesinë e re të Kuvendit.

Takimi parashihet të mbahet pikërisht dy ditë para se të përfundojë ky afat kohor që Behgjet Pacolli u dha LDK-së dhe VV-së, para se të bëjë shkëputjen nga koalicioni me të parën, dhe bashkimin eventual me PAN-in.

Ndryshe, deputetët e LDK-së dhe VV-së, qysh para seancës së 3 gushtit, në të cilën deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit dhanë betimin, kishin paralajmëruar se assesi nuk do të pranonin ta votojnë Kadri Veselin për kryeparlamentar, ani pse kjo pozitë me Kushtetutë i garantohet koalicionit PAN, si fitues të zgjedhjeve të 11 qershorit. Këto parti kërkojnë që PAN-i të propozojë një kandidat tjetër për të parin e institucionit ligjvënës. /GazetaExpress/.