Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se deklarata e tij për Korenë Veriore se “do të përballet me zjarr dhe tërbim” nëse e kërcënon SHBA-në, nuk ka qenë “mjaftueshëm e ashpër”.
Duke biseduar me gazetarët, derisa është në pushime në Nju Xhërsi, Trump ka thënë, se derisa ai është në gjendje për të negociuar, Penjani, duhet të jetë “jashtëzakonisht i shqetësuar”, nëse tenton t’i bëjë diçka SHBA-së.
“Koreja Veriore bën mirë që të vetëkontrollohet, ose do të jetë në telashe, ashtu si shumë pak vende kanë mundur të jenë ndonjëherë”, ka thënë Trump.
Koreja Veriore, ka thënë se ka kompletuar planin, ashtu që gjatë mesit të muajit gusht, të jetë e gatshme për nisjen e raketave me rreze të mesme afër territorit Guam, i cili është territor i ushtrisë amerikane në Oqeanin Paqësor.
Trump ka thënë se lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, “ ka treguar mosrespekt të madh për vendin tonë. Ai ka thënë gjëra të tmerrshme”.
“Hajde ta shohim se çka do të bëjë në Guam”, ka thënë Trump.
“Nëse ndodh diçka atje, Korenë Veriore e pret diçka që bota nuk ka parë më herët”, ka thënë ndër të tjera ai.
Pak kohë pas deklaratave të presidentit Trump, ka folur edhe Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Jim Mattis, duke thënë se vendi është i gatshëm për përballje me Korenë Veriore, mirëpo Uashingtoni preferon të zgjidh problemet përmes negociatave sepse çdo luftë do të ishte “katastrofike”./rel/