LAA planifikon ta dërgojë në Kushtetuese çështjen e kryeparlamentarit, VV kundër

E publikuar: 09/08/2017 19:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të përfshihet në situatën e krijuar në Kuvend, për të shqyrtuar një kërkesë të mundshme nga deputetët.

Koalicioni rreth LDK-së ka paralajmëruar se po e shqyrton mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës me një kërkesë për të interpretuar situatën e krijuar, raporton KTV.

Këtu është përmendur ajo se çfarë ndodh me propozimin për kryeparlamentar kur koalicioni fitues nuk ka shumicën parlamentare.

Koalicionit parazgjedhor që ka fituar zgjedhjet, e drejta që të propozojë kryetarin e Kuvendit i është dhënë pikërisht nga Gjykata Kushtetuese pas bllokimit të 2014-ës, në kohën kur ky institucion udhëhiqej nga Enver Hasani.

Por, Vetëvendosje nuk përkrah propozimin që çështja të dërgohet përsëri në Kushtetuese.

Juristët thonë se në fakt Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej të përfshihej në secilën situatë politike në vend por politikanët do të duhej të reflektonin e të gjenin zgjidhje.

Sipas Artan Qerkinit, që Gjykata ta pranojë një kërkesë eventuale, ajo duhet të drejtohet për të interpretuar një nen kushtetute që tashmë ekziston e jo të interpretojë vendime paraprake të vetat.

Kuvendi i Kosovës është bllokuar sepse PAN-i nuk ka shkuar në asnjë seancë për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar, çka e obligon vendimi i Kushtetueses i vitit 2014.

Sipas Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligative për të gjithë individët dhe institucionet.