Shkruan Blerim Latifi
Së fundi, kam parë një diplomë që një student i Fakultetit filozofik e kishte mbrojtur mbi një temë filozofike të intelektualit kriminel Regis Debray. Meqë në planprogramet e filozofisë librat e tij nuk figurojnë as si literaturë e rekomanduar ka gjasë që ideja për të diplomuar në konceptet e tij të ketë ardhur nga seancat ideologjike që i ndjekin rregullisht militantët e Vetëvendosjes në shkollat e natës të edukimit politik! Aty ku militantët grumbullohen për të ndjekur dokumentarë për Çe Gevarën aty nuk ka si të mos jetë i pranishëm edhe ish ideologu i tij Regis Debray!
Elvis,
në reagimin tënd në shkrimin tim “Elvisi dhe Populli”, krejt çfarë ke bërë është një përpjekje e dështuar për të dalë nga gropa në të cilën je vetëvendosur, upss, më falni, je vetëfundosur përmes aktit tënd fashisto-stalinist të lëndëzimit të popullit, aktit të shndërrimit të popullit në lëndë të parë për industrinë ideologjike të pronarëvë të mdhenj të të vërtetës përfundimtare. Vetë shoku Albin pretendon të jetë njëri prej këtyre pronarëve. Për sa kohë që pretendimi se ke në xhep të vërtetën përfundimtare kufizohet brenda bindjeve private apo spekulimit filozofik pa qëllime praktike, nuk përbën ndonjë rrezik për shtetin, por kur ky pretendim tentohet të shndërrohet në vendimmarrje politike atëherë ia behin kalorësit e apokalipsit, qoftë në versionin komunist, qoftë në versionin salafist.
Në pjesën e parë të reagimit tënd ti përpiqesh të dalësh nga gropa ku je vetëvendosur përmes arsenalit dhe vokabularit deleuzian. Por rizoma deleuziane ( të më falin lexuesit për këtë term të pakuptueshëm për ta) si shkallë për të dalë nga gropa, kryen punë vetëm pasi të kesh hequr dorë nga përpjekja për të fshehur gropën staliniste ku je vetëhedhur gjatë kohës që po kërkoje në qiellin e sovranit aftësitë e tij virtuoze. Rizoma të kthen tek kompleksiteti i “qenies” së popullit e politikës dhe prej andej ta mundëson të shohësh boshllëkun konceptual të populizmit të Vetëvendosjes dhe dashurinë e saj të zjarrtë për popullin, që shoku Albin, me stilin lakonik e të drejtpërdrejtë, të ngjajshëm me atë të Librit të Kuq të shokut Mao, e shprehu këto ditë në një status të tij në facebook: “Ne e duam popullin!” Nënteksti i kësaj thënie legjendare thotë : secili që dëshiron ta dojë popullin këtë mund ta bëjë vetëm përmes shokut Albin. Ky është banaliteti i vërtetë, të cilin, i dashur Elvis, e kërkon më kot tek unë, sepse e ke harruar brenda shtëpisë tënde politiko-ideologjike.
Sa i përket Prekazit, më kot lodhesh, në ajrin e tij të lirisë nuk të shpie udha deleuziane, as ajo dekonstruktiviste. Në Prekaz shkohet përmes rrugës hegeliane të mposhtjes së frikës nga vdekja si hap i parë drejt lirisë.
Përpjekjen serioze deleuziane për të dalë nga gropa staliniste ku je vetëvendosur përmes aktit të lëndëzimit të popullit, ti e rrënon në pjesën e dytë të reagimit tënd dhe këtë e bën duke na zbuluar një “sekret”. Sekreti yt qenka ky : je duke përkthyer versionin e Republikës së Platonit të filozofit francez Alain Badiou. Shumë mirë : një impuls i ri filozofik për komisarët politikë të Vetëvendosjes. Republika e Platonit, është një vepër themelore e idealizmit politik dhe leximi i saj, përmes syzeve të Badiou-s, mund të rigjallëroj ndjenjat revolucionare të militantëve të lodhur nga vështirësitë dhe kërkesat banale të jetës së rëndomtë.
Derisa na e zbulon këtë sekret ankohesh se po humbet kohë në gjëra të tjera e se të duhet përqendrim maksimal në shqipërimin e Badiou-s. Meqë Badiou, përmes përkthimit tënd, do të na flas në shqip, atëherë është mirë që lexuesit e presupozuar të tij, studentët kosovarë, militantët e Vetëvendosjes, ta kuptojnë se cili është raporti i këtij filozofi me Kosovën?
Si vend i vogël që jemi, Badiou nuk ka pasur kohë të merret gjatë me ne. Ai është marrë vetëm njëherë me Kosovën dhe atë në ditët më të rënda për popullin e Kosovës, në pranverën e vitit 1999. Kur Prekazi im dhe gjithë Kosova po kullonte gjak nga makineria ushtarake e Milosheviqit, e kur e gjithë bota demokratike qëndronte prapa intervenimit të NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë, ky filozofi yt i dashur, kishte shkruar një shkrim ku haptas dilte në mbrojtje të Milosheviqit. Në atë tekst makabër masakrat e kryera nga Millosheviqi, spastrimin etnik të afër 1 milion shqiptarëve, Planin “Patkoi” për zgjidhjen finale të problemit të Kosovës përmes deshqiptarizimit total të saj, Badiou, filozofi yt dhe i komisarëve të Vetëvendosjes, i quante fake news, lajme të rreme.
Për më tepër, ai sugjeronte se kriminelët e vërtetë duhet kërkuar tek “bandat e UÇK-së dhe tek banda e madhe internacionale që quhet NATO”, e të cilës, njësoj si Putini sot, i kërkonte të shpërbëhej menjëherë.
Në këtë mënyrë teksti i tij po shërbente si themel i linjës antiKosovë e cila do të kulminoj me Dick Martin dhe akuzat e tij për trafikim organesh. Dhe këtu duhet të përmendim një konsistencë : vërtetë po ta marrësh seriozisht Badioun krerët e UÇK-së duhen arrestuar e burgosur një për një. Dhe në byronë ideologjike të Vetëvendosjes përnjëmend Badiou merret seriozisht. Nuk është ndoshta e rastit pse në diskursin e saj publik me aq zjarr flitet për tërheqjen zvarrë dhe burgosjen e këtyre krerëve. Kjo kuptohet mund të jetë për hesape të luftës verbale për pushtet, por baza filozofike gjithsesi se nuk i mungon.
I dashur Elvis , krimi intelektualo-moral i Badiou kundër Kosovës ishte në të njejtën linjë me atë të një filozofi tjetër poashtu të adhuruar nga qarqet tuaja ideologjike.
Ky është çegevaristi Regis Debray, i cili në pranverën e vitit 1999 shkoj edhe më larg se Badiou : ai erdhi në Kosovën e shndërruar në tokë të djegur, u end poshtë e lartë nën përcjelljen e policisë serbe dhe me tu kthyer në Paris bëri një raport të cilin ia dërgoi presidentit Shirak për ta bindur se në Kosovë nuk ka pastrim etnik, as varre masive, se gjithçka është propagandë amerikane dhe si rezultat Franca duhet të ndërhyjë në ndaljen e bombardimit të Serbisë.
Ja ku shpie një mendje e errësuar nga dogmatizmi majtist! Ja si ta helmon mendjen produkti ideologjik me afat të skaduar! Por qe do, ju jeni komunistë dhe komunistët janë në rregull me ndërgjegjen në këtë plan : atyre u dhemb zemra për fatin e njerëzimit si tërësi, jo për fatin e qenieve konkrete njerëzore. A nuk e thoshte edhe protokomunisti Platon në Republikën e tij se ideja e njeriut është më e rëndësishme se njeriu real. A nuk e thotë sot Badiou yt i dashur se ajo që ka rëndësi është ideja e Revolucionit Kulturor Kinez, e jo jeta e shkatërruar e miliona kinezëve konkretë prej këtij revolucioni!? Çfarë rëndësie ka fati i grave të përdhunuara nga ushtarët e Milosheviqit në krahasim me mbajtjen gjallë të hipotezës komuniste përmes dimensionimit të rezistencës së Millosheviqit si rezistencë kundër imperalizmit amerikan!?
Së fundi, kam parë një diplomë që një student i Fakultetit filozofik e kishte mbrojtur mbi një temë filozofike të intelektualit kriminel Regis Debray. Meqë në planprogramet e filozofisë librat e tij nuk figurojnë as si literaturë e rekomanduar ka gjasë që ideja për të diplomuar në konceptet e tij të ketë ardhur nga seancat ideologjike që i ndjekin rregullisht militantët e Vetëvendosjes në shkollat e natës të edukimit politik! Aty ku militantët grumbullohen për të ndjekur dokumentarë për Çe Gevarën aty nuk ka si të mos jetë i pranishëm edhe ish ideologu i tij Regis Debray!
Tani, i dashur Elvis, të ndalemi tek brenga jote për raportin mendim-liri dhe frymëzimi emancipues që gjendet në tekstet e filozofit tënd të dashur Alain Badiou.
Një filozof që bredhë nëpër libra të vjetër në kërkim të lirisë dhe në të njejtën kohë luftën për liri të një populli të vogël që e ka para hundëve e quan fake news ; një filozof që i djegë zemra për emancipimin e njerëzimit dhe të njejtën kohë masakrat dhe pastrimin etnik të kryer nga Millosheviqi i quan fake news, çfarë është ky përveçse një intelektual komplet i dështuar, apo thënë ndryshe “një budallë, mashtrues dhe zjarrvënës”, siç me plot meritë e quan mendimtari britanik Roger Scruton.
Më përmend Hajdegerin e Niçen dhe raportin e tyre me nazizmin. Në krahasim me krimin moral të Badiou-s ata janë, thënë kushtimisht, shumë më të shfajsuar. Hajdegeri bëri skandalin e tij moral të mbështetjes së nazizmit ende pa filluar Holokausti dhe Niçes me animozitetin e tij ndaj nacionalizmit racist nuk mund t’i mvishen mëkatet naziste, ndërsa Badiou yt shihte në televizor trenat serbë që deportonin kosovarët dhe bërtiste : kjo është rrenë, Amerika po gënjen, Milosheviqi është në të drejtën e tij.
Në këtë kontekst, i dashur Elvis, t’i këshillosh të rinjët, studentët e Kosovës, fëmijë të atyre që vrau e dëboi Milosheviqi, që të frymëzohen për aktivizëm politik përmes Badiou-s, është pak a shumë e njejtë si tu thuash pasardhësve të hebrenjëve të vrarë në Holokaust, lexoni filozofinë juridike të Carl Schmitt-it, i cili të nesermën e masakrës së Kristallnach, që u krye nga nazistët mbi hebrenjtë në nëntorin e vitit 1938, tha se “Kristallnacht-i është formë e lartë e drejtësisë administrative”.
Në fund, duke mos dashur të të humbas kohën tënde të çmuar dhe duke marrë parasysh motivin për t’i dhënë inpute filozofike Vetëvendosjes përmes filozofisë militante të Badiou, në respekt të ndershmërisë intelektuale, kur ta botosh versionin e tij të Republikës së Platonit, të këshilloj t’ia bashkosh librit, qoftë si hyrje, qoftë si pasthënie, tekstin e Badiou “Mbi Luftën kundër Serbisë”.
Ndërkaq si këshilltar i Kadri Veselit të sugjeroj të lexosh veprën e Roger Scrutonit mbi mendimtarët e të majtës së re. Libri i tij është “mbi budalltë, mashtruesit dhe zjarrvënësit”.
Për koicidencë këto figura mund të përdorën për të përshkruar edhe rrezikun më të madh që sot i kanoset shtetit të Kosovës, e ky është rreziku nga aleanca e pashpallur e budallëve, mashtruesve dhe zjarrvënësve.
P.S. Teksti i Badiou mund të gjendet në librin e tij, Polemics. Verso 2006, pp.62-72, por edhe në faqe të ndryshme në internet. Mjafton të kërkohet në google me titullin Alain Badiou. On the War against Serbia: Who Strikes Whom in the World Today?
Prekaz
06.08.2017