Andin Hoti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës është përfshirë në debatin e ndezuar nga deputeti i ri nga Vetëvendosje Dardan Molliqaj.
S’është në natyrën time dhe s’kam dashur të lëshohem në komunikim vullgar e të gërditshëm siç po bëjnë eksponentë të Vetëvendosjes”, ka shkruar Hoti në facebook.
Sipas të njëjtit, tendencat e vazhdueshme tensionuese e përçarëse duke denigruar personalitete kombëtare të dëshmuara si z. Kadri Veseli, s’më lënë hapësirë dhe më imponojnë reagim ndaj çiftit të Dardan Molliqajt, shkruan Infosot.
“Ai ma çon mallin e ‘specave djegës’ të Krushës time, të cilët, disa prej tyre, sado t’i ujisësh, prapë vyshken, sepse problemi është tek rrënja! Dardani po dëshmon se ka probleme të ‘rrënjës’ me mungesën e edukatës minimale si një ‘komisar’ i keq.
Kadri Veselin dhe shumë burra të këtij vendi s’ka mundur t’i dorëzojë Serbia në kohët më të vështira dhe më të lavdishme, para se Dardani të pohojë si ‘këndez’ se është dorëzuar Kadri Veseli, duhet së pari ta mësojë këtë.
Dardan, ‘dorëzimi’ i z. Veseli s’ka pasë dhe s’do të ketë sukses, sepse këtë s’ka mundur ta bëjë as Serbia me gjithë arsenalin e saj propagandistik të shpifjeve. Kosova s’do të bëhet kurrë ‘arenë gladiatorësh’ si puna jote dhe e shokëve tu, Kosova s’do të lejojë provokime e përçarje me qëllime të errëta.
Pavarësisht gabimeve e defekteve që na kanë përcjellë gjatë disa viteve të shtetndërtimit, nuk është e ndershme të luhet me ndjenjat e qytetarëve, është i pamoralshëm dhe i papranueshëm diskursi provokativ që fsheh brenda vetes konceptin rrënues dhe shkatërrimtar për Shtetin dhe Republikën.
Në Kosovë është derdhur shumë gjak, prandaj nuk të lejohet të kryqëzosh njerëz vetëm se nuk mendojnë si Ju, dhe s’do të mundesh, të hedhësh baltë e njollosësh ata që kanë kontribuar për Çlirimin e Kosovës.
Po shpresoj të jetë hera e fundit që energjia ime shpenzohet për gjera të tilla”, ka shkruar Hoti..



















