PDK: Mentaliteti uzurpues, manipulues i VV’së dhe LDK’së është shqetësues

E publikuar: 03/08/2017 18:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës dënon presionet publike dhe private mbi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si përpjekje për dirigjimin e votave të tyre. Kështu u bë e ditur në konferencën për media që kjo parti e thirri për në orën 17:30.

Kjo është komunikata e PDK’së:

Partia Demokratike e Kosovës apelon te subjektet politike parlamentare, që të mos i shantazhojnë të zgjedhurit e popullit, por t’i lënë të lirë, sepse si përfaqësues të qytetarëve, deputetët i nënshtrohen vetëm vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.

Institucionet e Republikës së Kosovës do të formohen mbi vullnetin e shprehur të qytetarëve dhe jo mbi inatet personale të grupeve politike, që me qasjen e tyre destruktive po e bllokojnë të ardhmen e Kosovës.

Gjithashtu, Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për abuzimet e vazhdueshme, që sot kryesuesi i seancës konstituive i ka bërë gjatë udhëheqjes së saj, duke treguar njëanshmëri dhe duke i ofenduar jo vetëm fituesit e zgjedhjeve, por edhe institucionin e Kuvendit të Kosovës.

Përpjekjet e subjekteve politike humbëse të zgjedhjeve për të bllokuar krijimin e institucioneve shtetërore do të dështojnë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet e 11 qershorit.

Mentaliteti uzurpues dhe manipulues i partisë Vetëvendosje dhe koalicionit të LDK-së është shqetësues jo vetëm për situatën aktuale, as vetëm për një pozicion politik sic mund të jetë pozita e kryeministrit apo kryeparlamentarit, por për kushtetutshmërinë dhe vullnetin e cenuar qytetar, duke krijuar kështu precedentë që nuk i japin zgjidhje problemit, por e legjitimojnë metodën e tyre uzurpatore për shtetin dhe institucionet.

Partia Demokratike e Kosovës është e vendosur që të mos e lejojë këtë dhe të mos i nënshtrohet asnjë diktati politik.

Ne, sikurse që jemi dëshmuar deri më tash në themelimin, mbrojtjen dhe respektimin e institucioneve shtetërore, i sigurojmë qytetarët dhe votuesit e PDK-së, se do ta respektojmë vullnetin e tyre, duke i formuar shumë shpejtë institucionet e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë garancë e vlerave euroatlantike të shtetit të Kosovës.