VV e LAA ftojnë PAN-in të mos e kandidojë Veselin për kryeparlamentar

E publikuar: 03/08/2017 15:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se kjo parti ka qëndrim të prerë dhe nuk do të votojë Kadri Veselin në asnjë mënyrë, për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Këtë qëndrim e ka përkrahur edhe Avdullah Hoti, që ka kërkuar nga koalicioni PAN të dalë me emër më të pranueshëm.

Dy deputetët këto deklarata i dhanë në vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, në të cilën të pranishëm nuk ishin deputetët e PAN-it.

“Vetëvendosje në asnjë mënyrë nuk e voton Veselin. Por nëse ata barrikadohen për Veselin para republikës duhet të marrin përgjegjësinë përse nuk po themelohen institucionet dhe që pse shteti ka mbetur peng i vetëm një njeriu, që quhet Kadri Veseli. Propozoj të mos humbin kohë. Qëndrimi i VV-së është që të thirret për nesër seanca konstituive dhe të propozohet nga PAN-i një kandidat i pranueshëm për kryetar të Kuvendit”, ka thënë Konjufca.

“Është për keqardhje që vendimi i vitit 2014 e ka barrikaduar që propozimi të vijë vetëm nga një grup. Ftoj kryesuesin që sa më parë të thirret seanca e ardhshme dhe ftoj PAN-in të jenë këtu dhe që deputetët të votojnë sipas vullnetit të tyre. Kemi qëndrim sikurse Vetëvendosje. Ky kandidat është i padenjë. E kemi parë si është menaxhuar institucioni më i lartë i shtetit. Kandidaturat tjera do t’i shqyrtojmë veç e veç”, ka deklaruar Hoti.

Për shkak të mungesës së deputetëve të PAN-it, kryesuesi Adem Mikullovci ka vendosur që seanca konstituive të vazhdojë nesër, e premte.