Kurti: kryekuvendari i ardhshëm të mos jetë figurë kontroverse

E publikuar: 01/08/2017 10:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti më i votuar, Albin Kurti nga Vetëvendosje u regjistrua sot.

Albin Kurti tha sot se mënyra se si koalicioni PAN po orvatet që ta krijojë shumicën parlamentare nëpërmjet një Qeverie, e cila do të varet nga partia e Beogradit në Kosovë dhe nga blerja e ndonjë deputeti edhe i bën dëm shtet ndërtimit dhe demokracisë në Kosovë, por edhe nuk i bën nder vet atyre.

Kurti tha se të enjten, kur pritet të mbahet seanca konstitutive, do të jenë të pranishëm në Kuvend. Ai përsëriti qëndrimin e Vetëvendosjes se nuk do e votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit

“Padyshim që i gjithë grupi parlamentar i VV-së do të jemi të enjten para orës 10 në Kuvendin e Republikës. Të enjten Kuvendi duhet ta zgjedh për kryetar një figurë politike sa më gjithëpërfshirëse e kurrsesi kontroverse. Ky deputet që do të bëhet kryetar Kuvendi në legjislaturën e gjashtë duhet të jetë shumë më i mirë se kryetari i Kuvendit në legjislaturën e pestë. Natyrisht se nuk do ta votojmë Veselin”, tha Kurti sot pasi u regjistrua si deputet.

Ai foli edhe për takimet me ambasadorët e shteteve të Quintit ku siç tha ai po diskutohen sfidat e seancës konstituive si dhe diskutohen qëndrimet dhe idetë e Vetëvendosjes atëherë kur do të jenë në Qeveri.

“Ne si përfaqësues të VV-së theksojmë rëndësinë e partneritetit me shtetet e perëndimit e në veçanti me SHBA-në dhe Gjermaninë”, tha Kurti.