Zyrtari i LDK-së thotë se PDK po fundoset, thërret të mos votohet PAN-i

E publikuar: 29/07/2017 17:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri në detyrë i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, pak ditë para seancës konstituive të Kuvendit, ka shkruar në FB se interesi më i madh i vendit është që PDK përfundimisht të mbetet në opozitë. Ai thotë se PDK po fundoset në gropën që e kanë bërë vetë, këtë parti politike e krahason me bishën e plagosur që tenton të dalë deri në breg. Gecaj kërkon të mos votohet PAN-i.
“Kur koalicioni i udhëhequr nga ne sulmohej pamëshirshëm, këta kryesisht rrinin anash dhe bënin sehir, duke shpresuar që dikush tjetër do të kryente punë për ta” shkruan Gecaj.

“Shpresonin se objektivi i tyre i përhershëm, i kamufluar por ende transparent (shkatërrimi përfundimtarë i LDK-së), do të vinte lehtë dhe pa pasoja për ta.Megjithatë, kur kalkulimet e tyre i nxorëm plotësisht të gabuara, tani ata janë sulur çmendurisht në atakë të orkestruara në “laboratorët” e tyre ndaj po të njëjtës opozitë me të cilën del të kenë planifikuar dhe ekzekutuar rrëzimin e qeverisë sonë. Jeni tanimë të vonuar. Fundosjen e keni të sigurt. Shpëtimin mos e kërkoni në radhët tona”- thotë Gecaj.

Gecaj beson se asnjë deputet i LAA nuk do ta votojë PAN-in për formimin e qeverisë.

“Unë dua të besoj fuqishëm që asnjë deputet i yni nuk do të bjerë në një grackë të tillë. E nëse po, veç mos të na thonë se e bën për ne, për fëmijët tanë, për ardhmërinë tonë dhe për interesin e vendit. Sepse në këtë kohë, e vetmja mënyrë e ecjes para, dhe interesi më madhorë aktual i vendit, është që PDK përfundimisht të dërgohet në opozitë.Ndoshta mbushen mend!”- ka përfunduar ai./Express