Meqenëse nuk kanë mbetur as tre muaj të plotë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend, partitë politike tashmë kanë filluar të merren intensivisht me caktimin e kandidatëve dhe asamblistëve për zgjedhjet lokale.
Njëra prej partive, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndonëse të angazhuar me bërjen e numrave për formimin e Qeverisë së Kosovës, ata nuk po lënë anash as angazhimin për zgjedhje sa më të mira lokale.
Sekretari organizativ i AAK-së, Ali Berisha u shpreh i kënaqur me procesin zgjedhor lokal brenda AAK-së. Sipas tij, ndonëse ende nuk i kanë zyrtarizuar të gjithë kandidatët për kryetarë komunash, pritjet e kësaj partie janë të mëdha.
Sipas Berishës, AAK ka shënuar rritje në zgjedhjet parlamentare, andaj kjo rritje do të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale.
“Ju e dini se në zgjedhjet qendrore Aleanca ka shënuar rritje sa i përket votave. Pritjet tona edhe për zgjedhjet lokale janë të mëdha në zgjedhjet lokale. Jemi në proces të caktimit të kandidatëve për kryetarë të komunave. Është një proces që po shkon mirë në Aleancë, dhe besojmë që sidomos ato komuna që i kemi pasur në qeverisje komunale të udhëhequra nga AAK-ja do të rifitohen në këto zgjedhje”, tha Berisha.
I pyetur nga Indeksonline se a ekzistojnë mundësitë për koalicion parazgjedhor edhe në zgjedhjet lokale, pasi që në ato parlamentare u bënë së bashku PDK-AAK-NISMA, Berisha tha se ende janë në diskutim me degët e AAK-së në gjithë Kosovën.
“Sa i përket koalicioneve eventuale jemi në diskutime të brendshme me degët tona anë e mbanë Kosovës, dhe varësisht prej interesimit të tyre dhe varësisht prej asaj çka pretendojmë në komuna të caktuara vendimin do ta marrim në kohë të duhur“, shtoi Berisha.
Ndonëse emrat e kandidatëve ende nuk janë zyrtarizuar nga AAK, ishte Daut Haradinaj nga kjo parti që disa prej emrave që do kandidojnë në komuna i ka bërë publik.
Në mesin e tyre janë Bali Muharremaj për Suharekë, Daut Haradinaj për Deqan, Smaj Latifi për Rahovec, Ardian Gjini për Gjakovë, Zenun Elezaj për Klinë, Hajrush Kurtaj për Kaçanik, Fatmir Gashi për Pejë dhe Rexhep Kadriu për Gjilan.
Kandidatët përfundimtar, sipas Berishës, pritet të zyrtarizohen deri me datën 10 gusht./Indeksonline/

















