Deputeti i Nisma-s: Përpos kryeparlamentarit, PAN-i bën edhe këtë hap me 3 gusht!

E publikuar: 27/07/2017 17:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi ka caktuar 3 gushtin ditën kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Republikës. Koalicioni fitues i zgjedhjeve parlamentare, PAN, është duke pretenduar që përpos votimit të kryeparlamentarit, të njëjtën kohë ta votojë edhe përbërjen e re të ekzekutivit, në krye me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Partia e Fatmir Limajt, Nisma për Kosovën, shpreson se në këtë seancë të legjislaturës së pestë do të votohen dy figurat kryesore të vendit.

Megjithatë, anëtari i kryesisë së këtij subjekti, njëherësh deputeti i rizgjedhur, Haxhi Shala ka thënë për “Indeksonline” se nuk ka informacione të sakta rreth sigurimit të numrave.

“Po me 3 gusht po besojmë se zgjidhet kryetari i parlamentit dhe në qoftë se koalicion PAN i ka numrat atëherë s’kemi çka me prit duhet pra po atë ditë, pas një pauze, ta votojë menjëherë z.Haradinaj për kryeministër. A do të ndodhë atë ditë apo nuk do të ndodhë unë nuk kam informacione”, është shprehur ai, duke shtuar se beson tek tre liderët e koalicionit PAN të cilat kanë deklaruar se numrat janë siguruar.

Në fund, Shala po pretendon se sigurimi i këtyre deputetëve nuk përjashtohet të jenë nga koalicioni i LDK-AKR dhe Alternativa. “Kësisoj, duke parë disa lëvizjeve nga koalicioni LAA ne besojmë se kryhet kjo punë”, është shprehur ai. /Indeksonline/