Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se e ka regjistruar kërkesën e kompanisë së Behgjet Pacollit, Mabco Constructions SA, ndaj Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.
MD me anë të një njoftimi ka thënë se Kosova në këtë proces do të do të përfaqësohet nga Avokatura Shtetërore në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi.
“Pas interesimit të mediave në lidhje me procesin e arbitrazhit rreth çështjes së Mabco Constructions SA, Ministria e Drejtësisë konfirmon se Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimeve e ka regjistruar kërkesën e Mabco Constructions SA për të filluar procedurën e arbitrazhit kundër Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës në këtë proces do të përfaqësohet nga Avokatura Shtetërore në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi”, thuhet në njoftim.
Sipas minstrisë, duke marrë parasysh që procedura e arbitrazhit është konfidenciale, dhe me qëllim që të mos paragjykohet asnjë veprim procedural, Avokatura Shtetërore do të respektojë konfidencialitetin e procedurës së arbitrazhit dhe shpreson se edhe pala tjetër do të veprojë njëjtë.
“Pritet që pas regjistrimit të rastit të fillojë procesi i konstituimit të tribunalit të arbitrazhit i cili pastaj do të drejtojë procedure”, thuhet tutje.
Avokatura Shtetërore do të njoftojë publikun për ecurinë e procedurës së arbitrazhit me kohë dhe brenda asaj që e lejon konfidencialiteti i procedurës.
Ditë më parë kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka njoftuar për padinë ndaj shtetit të Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit lidhur me hotelin ‘Grand’ në Prishtinë.

















