Koalicioni PDK-AAK-NISMA ende nuk ka zyrtarizuar kandidatin e mundshëm për të parin e Kuvendit të Kosovës. Megjithëse dita e mbajtjes së seancës konstituive po afrohet, PAN-it i mbetet që të përcaktohet se kush do të jetë kandidati.
Nga ana tjetër, edhe partitë tjera politike shprehen të rezervuar sa i përket asaj se kush do të jetë kandidat, dhe nëse do ta votojnë.
Deputeti i zgjedhur nga AKR, Korab Sejdiu thotë se partia e tij po presin që koalicioni PAN fillimisht të zyrtarizojë kandidatin për kryeparlamentar dhe më pastaj do të flasin hapur për qëndrimin e tyre.
“Qëndrimi ynë është që posa të bëhet zyrtar kandidimi i ndonjë deputeti për postin e kryeparlamentarit, atëherë ne do të vlerësojmë nëse ai/ajo është në përputhje me kriteret që ne mendojmë se duhet me u përmbush për atë pozitë. Kështu që qëndrimi sa i përket votimit, gjithmonë varet se kush do të propozohet”, ka thënë Sejdiu.
Sejdiu nuk e mohon se AKR do të votojë kandidatin e PAN-it për kryetar të Kuvendit.
Sipas tij, varet se për cilin kandidat bëhet fjalë.
“Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, detyrimisht i takon PAN-it posti i kryeparlamentarit. Mirëpo kjo se kush do të bëhet kryeparlamentar varet nga ajo se kë e propozojnë nëse nuk janë të kufizuar, natyrisht brenda koalicionit të tyre. Por që qëndrimi ynë varet nga ajo se kë do ta propozojnë për kryetar të Kuvendit. Këto ditë po fliten shumë gjëra. Ne nuk do të japim vlerësim derisa mos të ketë kandidim zyrtar”, ka shtuar ai.
Ndryshe, vlen të kujtojmë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet më datën 3 gusht.

















