Indiana Gov. Mike Pence announces that the Centers for Medicaid and Medicare Services had approved the state’s waiver request for the plan his administration calls HIP 2.0 during a speech in Indianapolis, Tuesday, Jan. 27, 2015. (AP Photo/Michael Conroy)
Administrata Trump, me telashet e hapura mbi Russia Gate po lëviz fuqishëm për ta hequr këtë “njollë” duke ndërmarrë një lëvizje të fuqishme kundër influencës ruse.
Dhe këtë lëvizje Donald Trump do ta bëjë në Ballkan, ku javën e ardhshme dërgon me mision të posaçëm zv.presidentin Mike Pence, i cili përveç se do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Malin e Zi të pranuar tashmë në NATO, do të jetë kreu i samitit të vendeve të Ballkanit që do të organizohet pikërisht për t’i treguar Moskës se rajoni mbetet një zonë influence amerikane.
Është portali rus “Sputnik”, i cili i ka rezervuar një analizë të gjerë vizitës së Pence në Podgoricë, ku sipas gjasave do të jetë prezent edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
“Sputnik” thekson se në takimin e Podgoricës, përveç pjesëtarëve të Kartës së Adriatikut që janë Kroacia dhe Shqipëria, do të marrë pjesë edhe Maqedonia, e cila pritet që së shpejti të pranohet në NATO, por edhe Serbia që vjen me statusin e vëzhguesit.
Beogradin do ta përfaqësojë vetë Presidenti i sapo zgjedhur, Aleksandër Vuçiç, i cili tashmë ka në duart e tij shumicën e pushteteve në Serbi.
“Sputnik” thekson se Mali i Zi që prej kësaj jave është i blinduar dhe po përgatitet për vizitën e parë të një shtetari të lartë amerikan që nga viti 1905, kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, turi i Mike Pence në rajon përfaqëson vizitën e parë të një përfaqësuesi të administratës Trump në Ballkan.
“Sputnik” i mëshon shumë Maqedonisë në analizën e saj për vizitën e Pence, duke shkruar se në Uashington është vendosur e vulosur që Shkupi do të jetë pjesë e Aleancës Atlantike në pranverën e vitit të ardhshëm, duke përshpejtuar procedurat me një ritëm të lartë.
Në një deklaratë publike të qeverisë së Malit të Zi në lidhje me vizitën e zv.presidentit Pence, theksohet se “kjo vizitë konfirmon nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”.
Përveç Serbisë që ka statusin e vëzhguesit, të njëjtin format do ta ketë edhe Kosova në Samitin e Podgoricës, ku siç bën të ditur “Sputnik” është ftuar Presidenti Hashim Thaçi.
Samiti i Podgoricës “ka rastisur” pikërisht ditën që duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe siç thekson portali i Kremlinit, Zv.Presidenti Mike Pence do të drejtojë një mesazh të rëndësishëm për Kosovën dhe qeverinë që SHBA pret të zgjidhet nga Parlamenti i ri.
“Sputnik” nuk e cilëson një koinçidencë thirrjen e Kuvendit të Kosovës në një ditë me vizitën e zëvendësit të Donald Trump në Ballkan, duke aluduar se dekretin e tij Thaçi e ka firmosur pas konsultimeve me partnerët amerikanë.
Daniel Server, analisti i njohur për Ballkanin në SHBA, citohet nga “Sputnik” se “vizita e Zv.Presidentit Mike Pence është njw konfirmim i mbështetjes së SHBA ndaj Malit të Zii që sapo u pranua si anëtar me të drejta të plota në NATO dhe për të vendosur kufijtë e influencës amerikane në Ballkan”.
Tashmë të vetmet shtete të Ballkanit jo-anëtare të Aleancës Atlantike janë: Serbia, Bosnjë- Hercegovina dhe Maqedonia, por kjo e fundit pritet të pranohet në 2018-n.
Ndërkaq, Beogradi dha një shenjë drejt SHBA pas vizitës në Uashington të Vuçiçit, të cilit iu ofrua një ndihmë e madhe ekonomike dhe ushtarake.
“Sputnik” përdor një gjuhë të drunjtë ndaj Vuçiçit, kur thotë se ai ka premtuar se Serbia do të mbetet neutrale ushtarakisht.
Por nëse Beogradi do të pranojë që të hyjë në Kartën e Adriatikut, atëherë hyrja e Bosnjës në Aleancën e Atlantikut të Veriut është thjesht një formalitet, ngaqë muslimanët dhe kroatët e kanë shprehur këtë vullnet prej kohësh.
Por për të pritur këto zhvillime duhet natyrisht të pritet fundi i hetimeve për Russia Gate nga Kongresi Amerikan dhe vendimin që do të marrë ai për Presidentin Trump.