MPJ përgënjeshtron Serbinë: Kosova është anëtare me të drejta të plota e WCO-së

E publikuar: 09/07/2017 01:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një komunikate për media përgënjeshtron Serbinë, e cila sot ka kontestuar anëtarësimin e plotë të Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave (WCO).

MPJ e Kosovës thotë se Kosova është me të drejta të plota drejta dhe obligime të barabarta si shtet anëtar qysh prej anëtarësimit në janar të këtij viti, transmeton Koha.net.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës informon qytetarët e Kosovës se Serbia me mbështetje të Rusisë ka dështuar për të kontestuar anëtarësimin e plotë të Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave (WCO) dhe se Kosova do të jetë përherë aty me të drejta dhe obligime të barabarta si shtet anëtar qysh prej anëtarësimit në janar të këtij viti në Bruksel”, thuhet në komunikatë.

MPJ-ja serbe ka thënë se është propozuar një grup punues i cili do të shqyrtojë rastin e Kosovës dhe do të propozojë një zgjidhje për statusin e saj të ardhshëm. E deri atëherë, sipas MPJ-së serbe, vendimi i vlefshëm do të jetë ai i vitit 2012 se pranimi i Kosovës në WCO është i hershëm.

Si konfirmim përfundimtar se Kosova është anëtare me të drejta të plota, MPJ e Kosovës thotë se, “dëshmon shpërndarja në takimin vjetor në Bruksel e kërkesave për pagesë të anëtarësisë nga të gjithë anëtarët, ku figuron edhe emri i Kosovës (shih dokumentin)”.

Image

“E gjithë zhurma ka ardhur pasi kryesuesi i këtij takimi vjetor ka qenë nga Federata Ruse, i cili jashtë çdo rregulli është përpjekur ta trajtoj Kosovën si shtet jo anëtar dhe ta pengoj përfaqësimin në këtë takim për çka ka irrituar Sekretarin e Përgjithshëm dhe shumë shtete anëtare duke e kundërshtuar njëzëri. Ministri Hoxhaj dhe MPJ siguron të gjithë se Kosova nuk do të ndalet karshi shantazheve dhe përpjekjeve dashakeqëse të Serbisë dhe Rusisë por do të vazhdojë të sillet si shtet i pavarur duke ushtruar sovranitetin në të gjitha ato organizata ku është anëtare dhe nuk do të pushojë për asnjë çast të mbrojë interesat e saj shtetërore deri në anëtarësimin përfundimtar të Kosovës në OKB”, thuhet në komunikatë.