Krasniqi: Unë e Limaj u larguam nga PDK për shkak të keqqeverisjes së Thaçit

E publikuar: 20/05/2017 09:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se për të më i logjikshëm do të ishte koalicioni parazgjedhor me lëvizjen “Vetëvendosje” sesa me PDK-në, por sqaron se një bashkëpunim i tillë nuk është varur nga ai.
“Nisma” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) më mirë do të ishte të bënin koalicion parazgjedhor me lëvizjen “Vetëvendosje”, me të cilën bashkëpunuan sa ishin në opozitë, sesa me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, duke shtuar se një koalicion i tillë me partinë e Kadri Veselit nuk është varur nga ai.

“Për mua do të ishte më i logjikshëm koalicioni parazgjedhor me lëvizjen “Vetëvendosje”, por kjo nuk është varur nga unë. Ky koalicion kishte mundësi që të bëhej, por pati veprime politike për grabitje të anëtarëve brenda opozitës dhe kjo prishi shumë punë”, ka sqaruar Krasniqi.

Ish-kryeparlamentari i Kosovës gjatë kësaj interviste për “Zërin” ka deklaruar se bashkë me Fatmir Limajn e braktisën vite më parë PDK-në, pasi që, siç thotë ai, kishin probleme me keqqeverisjen e Hashim Thaçit, në atë kohë kryeministër i vendit, e jo me partinë dhe anëtarësinë e saj. Ai ka folur edhe për përgjimet telefonike të aferës “Pronto”, ku Krasniqi dhe Limaj fyheshin rëndë nga drejtues të PDK-së dhe thotë se vesi i veprimeve të prapashpinës veç sa është perfeksionuar.