Është padyshim mundësia e fundit që Gianluigi Bufon të fitojë Ligën e Kampionëve. Portieri legjendar i Juventusit dhe Italisë ka arritur të shkojë dy herë deri në finale, teksa e ka humbur po aq herë ndaj Milanit në vitin 2003 dhe ndaj Barcelonës në 2015-ën.
Por, tani mund të jetë e treta e vërteta. Juventusi është në finalen e Kardifit dhe me shumë mundësi do të presë Realin e Madridit, ku Bufon do të kërkojë të realizojë ëndrrën e tij.
Pas kualifikimit për në finalen e Ligës së Kampionëve, Bufon u shpreh:
“Ishte shumë e vështirë edhe kur ishim duke fituar 2-0. Nëse ne do të kishim menduar se jemi kualifikuar në finale, do të mund të ishte ndryshe”, tha Bufon.
“Ne kemi kaluar në finale të Kardifit. Nuk mund të themi se ky ishte qëllimi ynë, pasi të arrish në finale nuk do të thotë asgjë. Ne duam ta fitojmë trofeun”.

















