Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka reaguar pas deklaratës se deputetit Armend Zemaj, i cili një ditë më parë tha se po bisedohet për krijimin e një koalicioni paszgjedhor PDK-AAK-NISMA.
Sherifi në një përgjigje për ‘Indeksonline’, i ka quajtur lojëra të ulëta këto. Nuk, është hera e parë, qe zyrtarët e LDK-së, sipas tij, bëjnë këso lojëra.
“Atë që e kanë në mendje ta bëjnë vet ua mveshin të tjerëve. Edhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 zyrtarët e LDK-së thonin se NISMA gjithsesi por edhe AAK-ja do të përfundojnë në koalicion me PDK-në. Por të gjithë e dimë që kjo nuk ndodhi. Përkundrazi ndodhi e kundërta, në fund ata vet përfunduan në koalicion me PDK-në”, ka thënë Sherifi.
Tutje, Sherifi thotë se bazuar në këto fakte të cilat janë publike dhe si të tilla të njohura nga të gjithë qytetarët e vendit, besueshmëria e këtyre deklaratave, sipas tij, është e barabartë me zero.
Ndryshe, koalicioni aktual PDK-LDK po shkon drejt fundit. Sot pritet qe partitë opozitare të procedojnë në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë Mustafa më mbi 40 nënshkrime./Indeksonline/
















