Thirrjet e vazhdueshme të Ambasadës Amerikane për miratimin e ligjeve që lidhen me fushën e luftimit të korrupsionit, po shpërfillen nga institucionet e vendit.
Pas dështimit që të miratohet Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, zvarritje në procedim ka edhe në Projektligjin për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët.
Për këtë edhe ambasadori amerikan ditë më parë, përmes një video-incizimi, kishte kërkuar nga institucionet e Kosovës që të miratohen këto ligje, që do të mundësonin efikasitet në luftimin e korrupsionit.
Miratim të këtyre ligjeve kanë kërkuar edhe organizatat që monitorojnë sistemin e drejtësisë.
Ndërkohë, KTV-ja e ka siguruar draftin e projektligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në nenin 8-të të këtij projektligji, parashihet që masat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve përveç kryetarëve të gjykatave dhe prokurorive, mund t’i marrë edhe ministri i Drejtësisë. Këtë kompetencë deri tash e kishte Zyra e Prokurorit Disiplinor.
Ky projektligj ende nuk është dërguar në Kuvend. Por, kryetarja e Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, në një përgjigje me shkrim, thotë se një propozim i tillë është i papranueshëm.
Zyra e Prokurorit Disiplinor gjatë vitit 2016, ka përfshirë 406 raste në hetimeve preliminare ndaj prokurorëve. Prej tyre, 9 raste të prokurorëve me shkelje të vërtetuara disiplinore.