A bash te Daut Haradinaj paska mbetur puna a?!

E publikuar: 10/04/2017 20:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Adriatik Kelmendi

Është i papranueshëm kërcënimi me gjenocid kudo. Është i papranueshëm kërcënimi me gjenocid në Ballkan. Është i papranueshëm kërcënimi me gjenocid në Kosovë e në Serbi.

Mirëpo, ja që sot në Serbi i kemi në pushtet jo vetëm ata që kanë kërcënuar me gjenocid, por që kanë qenë prijatarë të fushatës së gjenocidit.

Aleksandar Vuçiq, kryeministër e tash president i Serbisë, ish-ministër i Informatave në kohën e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Pa therë në këmbë “partner i Perëndimit”.

Ivica Daçiq, zëdhënës i Milosheviqit dhe zëdhënës i politikës së gjenocidit, tash ministër i Jashtëm në pritje për t’u bërë kryeministër në Serbi.

Timoslav Nikoliq, partner në qeverisje i Milosheviqit, dhe së fundi president i Serbisë, para tre muajve tha se është i gatshëm që bashkë me dy djemtë të luftojë në Kosovë.

Që të treve, këtyre më të fuqishmëve në Serbi sot, as një therë në këmbë nuk i ka hyrë nga të gjitha të zezat që kanë ndodhur, me fajin shumë të madh të tyre, për këto 25 vjet në këtë rajon. Dhe vazhdojnë të jenë të përkëdhelurit e Perëndimit, për shkak se shantazhojnë me Rusinë.

Kujt s’po i dëgjohet zëri.

Tash, Dauti e paska dhënë një deklaratë të ngutshme nga emocionet dhe u dashka të reagojnë me BE, me UNMIK, me SHBA e krejt?!

E qartë, nuk ka vend për deklarata të këtilla, nga askush, asnjëherë.

Mirëpo, pse me standarde të dyfishta?!

Tash, po të mos ishte ndalimi i Haradinajt në Francë me akuza nxitëse nga vetë treshja Vuçiq, Daçiq e Nikoliq, as që do të kishte fare emocione e shpërthime të këtilla.

Por, të shkojmë edhe pak më larg: Po të mos ishte Vuçiqi, Daçiqi e Nikoliqi në udhëheqje të Serbisë gjatë viteve ’90 dhe sërish tash, sigurisht se krejt ndryshe do të ishte edhe jeta e Daut Haradinajt.

Po të mos ishin Vuçiqi, Daçiqi e Nikoliqi, sot Dauti do t’i kishte gjallë dy vëllezër: Luanin e Shkëlzenin.

Po të mos ishin Vuçiqi, Daçiqi e Nikoliqi, sot vëllai tjetër i Dautit, Ramushi, do të mund të vazhdonte të jetonte në Zvicër, të mos kishte nevojë të rrokte armët, të plagosej, të burgosej dy herë nga Haga, të arrestohej nëpër aeroporte.

Po të mos ishin Vuçiqi, Daçiqi e Nikoliqi, sot prindërit e Dautit do të ishin fshatarë të zakonshëm të Dukagjinit në hallet e veta e jo një çift që s’iu shteruan kurrë lotët nga sytë.

Po të mos ishin Vuçiqi, Daçiqi e Nikoliqi, sot Dauti do të kishte punë shumë më të mençura se sa të “kërcënonte”.

Se po të mos ishin Vuçiqi, Daçiqi e Nikoliqi gjithsesi se Dauti s’do të kishte përse ta kishte dhimbjen, s’do të kishte përse ta kishte zemërimin, s’do të kishte përse ta kishte mllefin.

E keni huqur adresën, fatkeqësisht!

Mjaft më, mos të teprohet!

Adresa është në Beograd!

/koha.net/