Edhe AAK mbështet mocionin e propozuar nga Nisma për rrëzimin e Qeverisë

E publikuar: 06/04/2017 12:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas deklarimit të Nismës për Kosovën se është duke planifikuar të nis një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar qëndrimin e saj për këtë iniciativë.

Deputeti i AAK-së, Ahemt Isufi thotë se ata përkrahin çdo mocion që e shkarkon këtë Qeveri.

Në një prononcim për Indeksonline, Isufi tregon se ende nuk kanë biseduar me Nismën për këtë çështje, mirëpo nëse një gjë e tillë bëhet ata do e harmonizojnë qëndrimin.

“Ne ende nuk e kemi shqyrtuar një nismë të tillë, por normalisht që përkrahim çdo mocion që këtë qeveri e shkarkon, sepse ka bërë gabime të shumta dhe ka dëmtuar interesin shtetëror të Kosovës, në të gjitha aspektet. Kjo Qeveri është dashur të jap dorëheqje shumë më herët, sidomos në rastin e marrëveshjeve shumë të dëmshme që janë kundërshtuar nga qytetarët e Kosovës. Meqë jemi në koalicion me Nismë, do bisedojmë me përfaqësuesit e koalicionit të përbashkët dhe do të kemi qëndrim sigurisht në përkrahje, por që do ta harmonizojmë qëndrimin”, ka thënë Isufi.

Ai beson se nëse merret kjo iniciativë, do e kenë përkrahjen edhe të deputetëve të partive në pushtet. Kjo pasi, sipas tij, edhe ata janë të bindur se kjo Qeveri e meriton të shkoj shumë më herët.

“Ne besojmë që edhe deputetët e partive ne pushtet janë të bindur se kjo Qeveri ka merituar të shkoj shumë më herët. Përveç dëmeve që ia ka sjellë shtetit të Kosovës, asgjë të mirë Kosovës nuk i ka ardhur nga ky koalicion, i cili është lidhur në numra, por jo në logjikën e shëndosh dhe në zbatimin e kushtetutës dhe ligjit të Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndryshe, deputeti i PDK-së, Shukri Buja, tashmë është deklaruar se nëse bëhet ky mocion ai do e jap votën e mos besimit të Qeverisë./Indeksonline