Nga Sali Kabashi
Përçarjet asnjëherë nuk janë të mira, përkundrazi, ato i sjellin shumë dëme vendit dhe qytetarëve, por ja që ndodhin dhe janë prezente tek ne si shoqëri! Jemi mësuar që përçarjen shqiptare ta lidhim gjithmonë me ndasitë dhe dallimet fetare, katolik e mysliman, por në të vërtetë, kjo është e pabazë, përçarja është diku tjetër edhe pse nuk thuhet, ajo shihet shumë qartë!
Më e theksuar kjo përçarje, që për mendimin tim ka filluar të kthehet në urrejtje, është në aspektin e ndasisë regjionale, si shembull më konkret është inati ndërmjet Dukagjinit dhe Drenicës! Në shumë raste mund të hasim që, shprehet kjo urrejtje hapur, ku një dukagjinas e ofendon rënd Drenicën dhe drenicasit, sa që në rrjetin social Facebook, kam has në shprehje të dëshirave publikisht, se:“Millosheviçi i ka fajet që nuk e ka ba rrafsh Drenicën”! Po ashtu edhe anasjelltas, drenicasit ofendojnë dhe përçmojnë rënd Dukagjinin dhe dukagjinasit duke i quajtur edhe si serb të natyralizuar në shqiptarë!
Një shoqëri me defekte të tilla, asnjëherë nuk mund të ecë përpara, ngase armiku më i madh është vetvetja.
Një “sëmundje” tjetër e cila është duke shkatërruar shoqërinë tonë, është edhe dallimet që bëhen ndërmjet “qytetarëve” dhe “fshatarëve”! Këtu kemi më shumë përçmime që bëhen nga “qytetarët” drejtuar “fshatarëve”, se sa anasjelltas! Fatkeqësisht, këto dallime po ndikojnë edhe në avancimin e të rinjëve në shoqëri dhe në tregun e punës, sepse të qenurit fshatarë po iu kushton me cenim të te drejtave! Rasti më i freskët është në Komunën e Gjakovës, ku fshatarët e fshatrave përreth të kësaj Komune,e akuzojnë Kryetaren Mimoza Kusari – Lila, se ajo i favorizon qytetarët e Gjakovës, duke ua privuar të drejtën e fshatarëve, si në punësim ashtu edhe në fusha të tjera.
Këto përçarje dhe ndasi injorante, nuk sjellin asnjë dobi për shoqërinë tonë! Andaj, mos ti fajësojmë dallimet fetare si përçarëse ndërmjet shqiptarëve, sepse asnjëherë nuk ka pas armiqësi ndërmjet myslimanëve e katolikëve, lufta e fundit e dëshmon këtë gjë, ku krah për krah mysliman e katolik luftuan në mbrojtjen e Kosovës nga agresioni serb.
Shpresoj, që tu vij fundi këtyre përçarjeve e të bashkohemi në avancimin e Shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, si dhe ta bëjmë faktorë në Evropën Juglindore (Ballkan).