Pas Listës Serbe, a do t’i kthejë Aleksandar Vuçiqi në Kuvend edhe Asociacionin e Demarkacionin?

E publikuar: 26/03/2017 21:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kthimi i paralajmëruar i Listës Serbe në Kuvend  do të zhbllokojë punën e tij. Por edhe potencialisht do t’i kthejë telashet e vjetra, sikur që ishin dhe vazhdojnë të jenë, votimi i Demarkacionit me Malin e Zi si dhe krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Nga Astrit Gashi

Ushtria e Kosovës poashtu mund të jetë njëri nga kompromiset potenciale, të votimit në pako të këtyre tri marrëveshjeve, tash pasi Kuvendi dhe Qeveria u zgjuan me ndërhyrjen e Aleksandar Vuçiq nga paraliza pesë muajshe.

Largimi i Lista Serbe nga Kuvendi i Kosovës shtatorin e kaluar kishte detyruar Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa që ta tërheqë nga votimi marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Në pamundësi për të bindur deputetët shqiptarë edhe në kuadër të partive që përbëjnë koalicionin qeverisës të votojnë këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës varet plotësisht edhe nga pjesëmarrja e listës së kontrolluar nga Aleksandar Vuçiq për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Bllokimi i ratifikimit të Demarkacionit, që tashmë refuzohet nga shumica e deputetëve shqiptarë në Kuvend si i gabueshëm, i ka pamundësuar Isa Mustafës që të përmbush edhe kriterin e fundit për momentin për Liberalizimin e Vizave nga Bashkimi Evropian.

Në të njejtën kohë, qeveria e Kosovës ka ngelur e bllokuar edhe për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, pasi që pjestarët e Listës Serbe, nuk i janë përgjigjur lutjeve të njëpasnjëshme të Qeverisë, për të marrë pjesë në Komisionet qeveritare për hartimin e Statusit të ASK ose “Zajednicës” si njihet sot në opinionin kosovar.

Pikërisht themelimi i ASK si dhe neglizhimi i tyre nga Qeveria e Kosovës, janë potencuar nga Lista Serbe si arsyet kryesore për pezullim të pjesmarrjes së tyre në institucione.

Një Kuvendi dhe një Qeverie të bllokuar në funksionim duket se ka vendosur të ja shtrijë dorën kryeministrit Serb, Aleksandar Vuqiç.

Ky i fundit, që tashmë është në garë dhe shpreson të bëhet President i Serbisë, me një vendim ja u hoqi bllokadën institucioneve të Kosovës. Ashtu sikurse me një tubim në Beograd vendosi ti bllokoj ato.

Dikush shkruan se për këte Vuciqin e ka bindur Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ndoshta! Ky rrëfim do të ishte një muzikë që do të tingëllonte më së miri në veshin tonë. Sepse vrazhdësia e tërë këtij kthimi mbetet dhe është ajo që Serbia dhe shefi i saj, për fatin tonë të keq, mban në duar çelësat e funksionimit të institucioneve të Kosovës dhe të funksionimit të shtetit tonë.

Në mungesë të një komunikimi normal brenda shqiptarë, një strategjie të harmonizuar për trajtimin e çështjeve të interesit nacional, më mirë as që meritojmë se sa të na ngrehë zvarrë sa herë te dojë Serbia!