Këshillat e Amerikës, Kosovës i kushtojnë 2 milionë euro

E publikuar: 22/03/2017 19:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Jashtme ka nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, Aliston and Bird, pjesë e së cilës është ish-senatori Bob Dole.

Mik të madh të shqiptarëve e ka quajtur të martën Ministria e Jashtme, ish-senatorin amerikan Bob Dole.

Ky i fundit është takuar në Washington me ministrin Enver Hoxhaj.

Por, Kosova do t’ia paguajë mbi 2 milionë euro kompanisë Aliston and Bird, pjesë e së cilës është Bob Dole për të këshilluar institucionet e Kosovës.

Sipas kontratës, kompania do të ofrojë këshilla strategjike për Kosovën dhe marrëdhëniet me Kongresin amerikan.

Qeveria e Kosovës e ka shpallur fituese këtë kompani me procedurë të mbyllur përmes negocimit të kontratës dhe pa e publikuar atë.
Por, kontrata është publikuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, sepse të tilla kontrata janë obliguese që të jenë publike në SHBA.

Në Kosovë nuk janë bërë të ditura detajet. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e KTV-së për çështjen.

Pagesa në formë page për 94-vjeçarin Bob Dole, do të jetë 65 mijë euro në muaj.

Kjo nuk është hera e parë që jipen miliona të buxhetit të Kosovës kompanive amerikane, për të ndihmuar në lobim për çështje të ndryshme.