Sipas Bankës Botërore, kredia prej 100 milionë dollarë jepet si mbështetje buxhetore, pasi Shqipëria përmbushi 10 kushte për fuqizimin e sistemit financiar.
“Këto masa do të krijojnë mjedisin e duhur që institucionet bankare dhe jobankare të zgjerojnë kreditimin ndaj sektorit privat, e kjo si rrjedhojë do të jetë një shtysë për rritjen ekonomike”, thotë BB.
Pjesë e kushteve ishin miratimi i ligjit të ri për falimentin, atij për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka si dhe ndryshimet në kodin e procedurave civile. Këto masa pritet të ulin më tej kreditë e këqija dhe shmangin krizat e mundshme bankare.
“Këto reforma jo vetëm që zbusin rreziqet me të cilat ballafaqohet sektori bankar, por sjellin përfitime afatgjata për bizneset dhe veprimtarinë e kreditimit”, thuhet më tej.
Por veç sektorit bankar, pjesë e kushteve kanë qenë edhe miratimi i ligjeve që forcojnë mbikqyrjen e fondeve të investimeve për të garantuar kursimet e qytetarëve, por edhe disiplinimi i shoqërive të kursim kreditit, të cilat nga 140 që ishin janë reduktuar në më pak se 20 duke u bërë më të sigurta.
Sipas Bankës Botërore, forcimi i sistemit financiar është kritik, për të ulur rreziqet për ekonominë, por edhe për të mbështetur rritjen e shpejtë të saj.