Tash e pesë muaj amerikanit John Chesnut nuk i lejohet nga përfaqësuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës të futet në hangarin, në të cilin ai ka vendosur aeroplanin e tij me leje të Policisë së Kosovës. “Limak”-u ia kërkon 5600 euro në muaj qira
John Chesnut, amerikani i cili ia ofroi aeroplanin e tij trajnues Kosovës, e solli atë në pronën e Policisë së Kosovës, të cilët ia dhanë edhe çelësin e hangarit për ta vendosur atë afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), tash e disa muaj është duke u penguar nga përfaqësuesit e kompanisë turke “Limak” ta shfrytëzojë aeroplanin.
Ata nuk e lejojnë të futet në hangar, ku ndodhet aeroplani i z. Chesnut tash e pesë muaj. “Limak” ia kërkon këtij amerikani 5624 euro qira në muaj për shfrytëzimin e hangarit, i cili ka tabelën me shenjë të Policisë së Kosovës.
“Më 22.08.2016, më është dhënë çelësi i hangarit nga Policia e Kosovës. Unë ende e kam çelësin, por ‘Limak’ nuk më lejon që të futem tash e pesë muaj, as për ta kontrolluar aeroplanin tim”, ka treguar për gazetën “Zëri” z. Chesnut.
Ai ka shumë kohë që bredh nëpër zyrë të zyrtarëve të lartë të shtetit, por asnjëri nuk i jep përgjigje, ndërkohë që “Limak” vazhdon t’i dërgojë çdo muaj faturat për këtë pronë, duke këmbëngulur se kjo pronë është e tyre. Në anën tjetër, amerikani Chesnut injorohet edhe nga zyrtarët qeveritarë të Kosovës, gjegjësisht nga Ministria e Punëve të Brendshme e cila nuk jep asnjë përgjigje.
“Limak” kërkon 28 mijë euro
“Problemi kryesor është se tashmë pesë muaj nuk jam lejuar të inspektoj aeroplanin tim, i cili në njëfarë mënyrë mund të dëmtohet duke qëndruar atje pa mbikëqyrje.
Ata po kërkojnë që të paguaj qiranë 5624euro në muaj dhe unë mendoj se kjo është e pavend, siç u kam thënë edhe atyre përmes një e-maili se kjo është për të ardhur keq, për shkak se ajo ndërtesë është në pronësi dhe nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Më janë dorëzuar çelësat për atë objekt nga ana e drejtorit të Policisë së Kosovës dhe zëvendësit të tij këtu në Aeroport, më 22 gusht të vitit 2016”, ka treguar për “Zërin” Chesnut.
Ai bën të ditur se deri para pesë muajsh ka fluturuar me aeroplan gjersa papritmas nga “Limak” kanë nisur të vijnë faturat për qira.
“Kompania ‘Limak’ po refuzon të më lejoj të kem qasje në të dhe tani ata më thanë se duhet të paguaj shumë prej më shumë se mbi 28 mijë euro nëse dua që ta shfrytëzoj aeroplanin, i cili nuk vlen aq shumë. Është një aeroplan i vjetër ‘1961 Piper Cherokee’, është një aeroplan trajnues. Kjo është e padrejtë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, zyrtarët e “Limak”-ut insistojnë se kjo pronë është nën menaxhimin e tyre. “Ne si ‘Limak Kosovo International Airport J.S.C’ jemi të obliguar që t’i përmbahemi kushteve dhe listës së çmimeve për shërbimet e ofruara, të përcaktuara në Marrëveshjen e Partneritetit Publiko-Privat. Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjitha tarifat janë njësoj të aplikuara për çdo shfrytëzues të Aeroportit pa ndonjë përjashtim. Përjashtime në Marrëveshjen e PPP-së nuk ka as sa i përket nacionalitetit të shfrytëzuesve të Aeroportit. Në lidhje me pyetjet tuaja ju njoftojmë se çdo shfrytëzues i Aeroportit është i obliguar të paguajë për shërbimet që ofrohen nga ‘Limak Kosovo International Airport J.S.C’, duke u bazuar në tarifat e përcaktuara në Marrëveshjen e Partneritetit Publiko-Privat. Meqenëse ne e paguajmë tarifën e koncesionimit nga të ardhurat tona, Republika e Kosovës është po ashtu partner kryesor në këto të ardhura. Ndërkaq, për shkak të obligimeve të hapura të z. John Chesnut ndaj kompanisë sonë, atij i është pamundësuar hyrja në zonën e kontrolluar deri në kryerjen e detyrimeve nga ana e tij”, thuhet në përgjigjet e zyrtarit për medie në ANP, Unidon Krasniqi.
Krasniqi: Hangari është i Policisë së Kosovës
Agim Krasniqi, ish-drejtor i Drejtorisë për Investime Kapitale, tregon se në vitin 1986-87 prona ku sot është hangari i Policisë është blerë nga ndërmarrja shoqërore për supin e atëhershëm. “Unë kam qenë pjesë e procesit kur është blerë kjo pronë për Policinë, janë paguar 1.2 milion marka në atë kohë dhe kjo pronë tash është e Policisë së Kosovës”, tregon për gazetën “Zëri” ish-zyrtari Krasniqi. Ai thotë se edhe dokumentacionin e posedon Policia e Kosovës me të gjitha të dhënat rreth pronësisë.
Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës “Zëri” se cila është e vërteta rreth kësaj prone. Ndërkohë që nga dokumentacionet e siguruara nga gazeta, nga komunikimi i vazhdueshëm i z. Chesnut me zyrtarë të ndryshëm shihet injorimi që i është bërë për një kohë shumë të gjatë. “Unë shpreha dëshirë për të sjellë avionin këtu, sepse unë u bëra pilot disa vjet më parë dhe dëshiroja për të krijuar mundësi të tjera për studentët e Kosovës që bëhen pilotë dhe mekanikë të aviacionit, për shkak se edhe prodhues të tjerë të mëdhenj të aeroplanëve ‘Air Airline’ kanë thënë në mënyrë të përsëritur gjatë 3 ose 4 vjetëve të fundit se industria e aviacionit ka nevojë për 600.000 pilotë dhe mekanikë të tjerë në 10 vjetët e ardhshme”, tregon Chesnut. Ai nuk ka lënë derë pa hapur për të kërkuar sqarim se pse po pengohet. Ndërkohë që askush nuk i ka ofruar asnjë përgjigje vetëm se është neglizhuar vazhdimisht. “Vajza ime në kohën që ne kemi qenë duke u përballur me mosmarrëveshje me kompaninë ‘Limak’ u bë jo vetëm një pilote, kur ajo ishte vetëm 17 vjeçe, por tani që është 20 vjeçe është bërë instruktore fluturimi, e certifikuar në një nga shkollat më të njohura të fluturimit në Arizona, ku përgatiten materiale që përdoren nga shkollat evropiane në të gjitha vendet, CAE në Oksford, dhe kjo ka mundur dhe duhej të kishte ndodhur këtu tre vjet më parë, por unë nuk e di pse kjo po pengohet nga menaxhmenti i ‘Limak’-ut. Unë dhe vajza ime jemi detyruar të bëjmë trajnime në Shkup, ne mund të shkojmë në Shkup në çdo kohë dhe në çdo ditë, të fluturojmë atje pa asnjë problem, të kryejmë trajnime pa asnjë problem”, tregon Chesnut.
Chesnut nuk dorëzohet, kërkon përgjigje nga Qeveria e Kosovës
“Ne kemi menduar për të siguruar një shërbim vërtet të nevojshëm për vendin tuaj, jam duke thënë, të më lejohet të parkoj avionin tim atje vetëm përkohësisht derisa Policia të marrë helikopterë që do të donte t’i ketë (për t’i parkuar aty), le të bëjmë disa trajnime për të ndërtuar përvojën mes meje dhe pilotëve të tjerë, le t’i ofrojmë Policisë mundësi nëse ka ndonjë fatkeqësi natyrore, si p.sh. përmbytje”, flet Chesnut me shumë dëshpërim. Ai bën të ditur se do të vazhdojë të ankohet dhe se pret nga Qeveria e Kosovës të bëjë diçka.