Qeveria: Kosova ta ketë ushtrinë në bashkërenditje me SHBA-në e NATO-n

E publikuar: 09/03/2017 12:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës tha se është e përcaktuar që Kosova ta ketë ushtrinë e saj në suaza të hapësirës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në mbështetje dhe bashkërenditje me partnerët strategjikë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

Në një komunikatë për media, të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, thuhet se kryeministri Isa Mustafa vlerëson se themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk mund të mbetet peng i Serbisë, përkatësisht Beogradit.

“Avancimi i rolit të FSK-së në ushtri është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, thekson komunikata.

Po sipas saj, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një bisede telefonike, ka kërkuar nga kryeministri që të rishqyrtohet ndryshimi i mandatit të FSK-së përmes ligjit.

Qëndrime të ngjashme, kryeministri thuhet të ketë marrë këtë javë edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, posa të marrë nga Kuvendi Projektligjin me të cilin propozohet që FSK-së t’i jepet roli i ushtrisë, do ta trajtojë sipas rregullores nga Ministria e FSK-së, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Financave, në mënyrë që ai të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të ketë mbështetje buxhetore”, thekson komunikata.